Art & Kulturë

Ikbal Çika, gazetarja e parë shqiptare

Forcimi i shtetit shqiptar dhe në veçanti miratimi i një legjislacioni bashkëkohor ku spikati kodi i ri civil, hapi rrugën për fillimet e përfshirjes së femrave në të gjitha fushat e jetës si: kulturë, arsim, sport deri edhe në sipërmarrje. Ato bënë një luftë të hapur kundër zakoneve të vjetra dhe besëtytnive që e izolonin dhe e persekutonin femrën shqiptare.

Pas formimit të shtetit shqiptar, Ikbal Çika bashkë me disa zonja të tjera, kërkuan me urgjencë domosdoshmërinë e rregullimit dhe përmirësimit të pozitës së gruas shqiptare në shoqëri. Ikbalja dha një kontribut të rëndësishëm për ngritjen e nivelit arsimor, edukativ e kulturor dhe sidomos atij emancipues për gratë dhe vajzat.

Intelektuale e shquar, gazetare me penë të mprehtë, publicistja Ikbal Çika zë një vend shumë të rëndësishëm në historikun e gazetarisë shqiptare. Ajo ka qenë kryeredaktorja dhe administratorja e parë e gazetës “Arbëria”. Nga pasioni i madh për shtypin, ajo mori përsipër përgjegjësi akoma më të mëdha duke u bërë pronare e disa revistave, si: “Java”, “Shpresa Kombëtare”, “Ylli i Mëngjesit” dhe “Gruaja Shqiptare”. Ishte gazetare aktive me funksione drejtuese te revista “Minerva”, si edhe në disa të tjera të përkohshme, si: “Arbenia”, “Rilindja e Arbërisë”, “Vullneti i Arbërisë” etj.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).