“Shtëpia e Shqiptarit” është një projekt i iniciuar nga shqiptarët që jetojnë në Kanada, në të cilën do të zhvillohen aktivitete kulturore dhe do të hapen klasa të mësimit të gjuhës shqipe.
Ky projekt u bë i ditur nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, gjatë një takimi që ai ka zhvilluar me përfaqësuesit e Shoqatës Shqiptare të Hamiltonit.
“U fol për marrëveshjet dypalëshe lidhur me diasporën, si ato për hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore në të gjithë botën dhe për fushën e arsimit. Për Ministrin, arsimi ka një rëndësi të veçantë. Nëse nuk do të kujdesemi për identitetin tonë, do të humbasim mijëra të rinj pa bërë asnjë luftë”, është shprehur ministri Majko.
Kjo qendër është një prej arritjeve më të rëndësishme, që do të shërbejë për të mbajtur gjallë edhe në brezat që vijnë, frymën shqiptare.
Shoqata Shqiptare e Hamiltonit operon prej 23 vitesh tashmë në promovimin e kulturës dhe vlerave kombëtare, si edhe integrimin e komunitetit shqiptar në Kanada.