Monumentet dhe objektet e trashëgimisë kulturore po bëhen objekt çdo ditë e më shumë i vizitave nga turistët vendas dhe të huaj.
Zakonisht fillimviti lidhet me një ulje të vizitorëve, por kjo nuk ka ndodhur në Muzeun Kombëtar Ikonografik Onufri dhe Muzeun Entografik në Berat, ku numri i vizitorëve është rritur me 20% në dy muajt e parë të 2018.
Ky është një sinjal kuptimplotë që në muajt në vazhdim do të ketë një fluks shumë më të madh vizitorësh, veçanërisht atyre të huaj.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas.
Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi te palëvizshme, si kamare, sergjene, dollap muri, pus, oxhakë etj, të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake. Ky muze ka një fond te pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu Kombëtar Onufri në Berat, është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, nga njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas Bizantine në qytetin e Beratit.

Muzeu Onufri
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.