Të nderuar miq, Galeria FAB ka nderin t’ju ftojë në hapjen e ekspozitës personale të piktorit të mirënjohur
GAZMEND LEKA
“DHE YJET RRINË E VËSHTROJNË”
Inagurimi: dt. 16 nëntor 2022, ora 19.00
Kohëzgjatja. 16 nëntor / 07 dhjetor 2022
Oraret 10.00 / 13.00 dhe 17.00 / 21.00
Galeria FAB / Universiteti i Arteve,
Rruga Ibrahim Rrugova, 22 / Tiranë
Kuruar nga Ermir Hoxha
Dhe yjet rrinë e vështrojnë / pjese nga teksti kuratorial
Ata janë kudo. Në cepe pallatesh, trotuaresh, apo kazanë plerash.
Janë gjithnjë aty. Dhe kur bëjmë sikur nuk i shikojmë, apo kthjemë kokën vërtik, sepse as erën sduam t’ia ndjejmë.
Në mendjen tonë i kemi ndarë dhe në kategori:
Lypsa rebel, që bërtasin përçart, hakërryer ndaj gjithkujt e gjithçkaje.
Lypsa të zvetnuar që flasin me vete, nënzë.
Lypsa të pazëshëm mbërthyer në vetminë e tyre, pa trazuar askënd.
Lypsa që me petkun e tyre me vetëdije janë kthyer në personazh.
Lypsa mëtonjës që kërkojnë gjithnjë diçka, një monedhë, një cigare, a një copë bukë.
Herë të tjera ato kanë fituar dhe vëmendjen tonë. Ka ndodhur kështu në netët e acarta kur ndonjë zemërbardhë ju ka zgjatur një batanije, apo në ditët festive, kur përveç ca plaçkave kanë fituar edhe një racion gjelle më shumë. Në raste të tjera i kemi evokuar si stereotipe në kërkim kontrastesh për ndonjë varg kënge, poezi, a tabllo. Si të tillë ata janë gjithnjë me ne, gjithnjë afër, por gjithnjë larg, si një cen që e di që e ke, por nuk do ta kujtosh.
…
Në ciklin e fundit të piktorit Gazmend Leka, lypsit, endacakët, a të braktisurit, zunë vend gati në mënyrë të natyrshme. Si të gjithë ne, edhe atë, ata e shoqëronin çdo ditë, në rrugën nga shtëpia në studio, apo nga shtëpia në shkollë. Edhe ai, si ne, i vështronte përvjedhurazi, i ofronte gjithnjë sa të kishte të shkoqura, apo i shmangej kur gati përplasej në ecejakjen e përditshme. Në biseda prej kohësh i kish rezervuar një cikël piktorik, thënë e rithënë, se si duhet të ishin, në sfonde të paqta, skenike dhe një dritë hyjnore mbi krye. Mendonte ti nxirrte nga skajet e turmës, ashtu siç ishin të pisët për ti dhënë të paktën njëherë qendrën e “skenës”. Duke bërë këtë ndoshta po zhbënte një padrejtësi.