Art & Kulturë

“Frankeshtajn” ngjitet premierë në skenën e Teatrit Kombëtar

Nga autori Tim Kelly, vepra e rradhës që do të vijë në sallën e Teatrit Kombëtar është i shumënjohuri “Frankeshtajn”, nga regjisori kosovar Ilir Bokshi.

Nën interpretimin e aktorëve Helidon Fino, Besmir Bitraku, Yllka Mujo, Klea Huta, Erjona Kakeli, Gent Hazizi, Lulzim Zeqja dhe Niada Saliasi, një prej përbindëshave më të njohur të historisë do të ketë premierën e tij edhe në Shqipëri më 13, 14 e 15 prill, ora 19:00.

Është interesante se në kulturën popullore emri i cili pasqyron monstrën është Frankenshtajn dhe shumë ndoshta nuk e dinë se Frankenshtajn është vet shkencëtari e jo monstra. Megjithatë, janë disa që do të thonë se Frankenshtajni, për shkak të pikëpamjes së tij morale dhe asaj që ai ka arritur të krijojë, është po aq monstër sa krijesa që ai ka krijuar.

E dramatizuar nga romani i Mary Shelley nga Tim Kelly, ky adaptim qëndron i veçuar nga dhjetëra adaptime të tjera filmike dhe skenike. Ai jo vetëm që i qëndron besnik romanit original, por edhe ndërthur mjeshtërisht komiken dhe tragjiken, të cilat shpeshherë paraqiten si njësi më vete e si një dyshe e bashkuar.

Viktor Frankenshtajn është një njeri i konsumuar nga shkenca dhe biologjia, pasioni jetësor i të cilit ka qenë të zbuloj shkakun e jetës apo e të dhënit jetë. Pas përpjekjeve dhe eksperimenteve të vazhdueshme, ai më në fund zbulon një rrugë të kthej në jetë indet e njeriut të vdekur.

Më shkurt, ai arrin të krijoj jetë duke qepur së bashku një koleksion makabër pjesësh trupore të njeriut dhe duke përdorur proçesin e tij special, ai ka sjellë në jetë një krijesë të ndërtuar nga pjesë trupore njerëzish, por akoma jo tamam njerëzor.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).