Art & Kulturë

“Fqinjët” në skenën e Korçës

Teatri “Zihni Sako” i Gjirokastrës u prezantua me tragjikomedinë “Fqinjët” nga Ruzhdi Pulaha në skenën e festivalit të komedisë “KoKoFest” në Korçë.

Me regji nga Milto Kutali vepra erdhi në skenë nga aktorë të njohur të teatrit, por dhe emra të rinj. Në role janë aktorët Kudret Alikaj, Liliana Kumbaro, Rrapo Kapurani, Dajana Nenaj, Alisa Gushi, Viktor Çaro, Mimoza Kola, Erdit Asllanaj, Serkida Rapollari, Erion Hinaj dhe Delvis Bejleri.

“Fqinjët” me regji nga Milto Kutali vjen në skenë si një vepër aktuale jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë, por edhe për problematikën dhe idetë që transmetohen.

Ngjarjet zhvillohen në një fshat të Greqisë së veriut, në shtëpinë e një fermeri grek. Barba Kosta jeton me familjen e tij dhe kantinën e verës të cilën ku ka punësuar një familje të re shqiptare në biznesin e tij. Dashuria e nipit Marko me Borën, motrën e Beharit (Lefterit), përbën ngjarjen shkakore që nxit zhvillimin dramaturgjik. Konflikti bazë është kombësia e dy të dashuruarve. Konflikti bëhet shumë i fortë dhe në të njëjtën kohë krijon edhe situatë me shumë humor, por dy të rinjtë kanë një aleat shumë të fortë, Barba Kostën dhe Jaja Aspasinë, e cila e do Bardhën si vajzën e saj. Me ardhjen e prindërve të Bardhës, Vasilit dhe Shegës, vepra merr një zhvillim të ri, por pa anashkaluar dashurinë e dy të rinjve e cila vendoset në një situatë vërtetë të vështirë.

Dramat dhe komeditë e Ruzhdi Pulahës janë vënë në skenë jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në Korçë e teatro të tjerë të vendit. Autor i angazhuar, Pulaha shquhet për frymën polemiste në trajtimin e konflikteve të mprehta të ditës në dramat e tij. Stili i këtij autori dallon për kompozicionin e thjeshtë, veprimin e qartë e të rrjedhshëm, dialogun konkret e të drejtpërdrejtë, vizatimin e shkëlqyer të karaktereve, si edhe tempin e lartë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).