Marina Sula, artistja shqiptare nga Lezha, është bërë pjesë e 30 artistëve më të suksesshëm të fushës së artit dhe kulturës nga revista Forbes, të moshës nën 30 vjeç.
Marina është 26 vjeçe dhe është diplomuar në Universitetin e Vjenës për Histori dhe Art, e tashmë vazhdon studimet në Akademinë e Arteve.
Në profilin e saj tek “Forbes” shkruhet se ajo jeton e punon aktualisht në Vjenë dhe ka marrë pjesë në 8 ekspozita që nga viti 2014-të, katër prej të cilave kanë qenë personale në Shqipëri, Austri dhe Itali.
Puna e saj bazohet tek instalacionet, fotografitë, skulptuarat dhe vizatimet abstrakte. Ekspozita e saj “Soft Power” në Gabriele Seen Gallery në Vjenë në fund të vitit 2016, u vlerësua për përdorimin e strategjisë së reklamimit, performancën në rrjetet sociale, si edhe afërsisë në rituale të tilla si spastrimi i trupit për të shpërndarë dallimet ndërmjet brenda dhe jashtë, privatësisë dhe ekspozimit.