FLAKA HALITI
KËTU – APO ATJE, ËSHTË MË ATJE
Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë
8 shtator – 9 nëntor, 2018
Hapja: 7 shtator, 2018, 19:00
“Këtu – apo atje, është më atje”: ky titull i pavendosur i ekspozitës së Flaka Halitit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë sugjeron një skepticizëm të përgjithshëm ndaj përkufizimeve të ngurta mbi hapësirën. Destabilizimi i tipareve të territorit, e sidomos i dikotomisë mes Lindjes dhe Perëndimit, është karakteristikë e punës së artistes.
E konceptuar si pasqyrë e punës së Halitit në këto pesë vitet e fundit, ekspozita e parë personale e saj në Shqipëri është një përzgjedhje punësh që në mënyrë të vazhdueshme transgresojnë kufinjtë fizikë dhe mendorë. Punët e saj shumështresore vënë në lojë dhe sfidojnë marrëdhëniet e pushtetit si dhe nomenklaturën që sundon mbi sistemin e artit dhe më gjërë. Haliti jo vetëm që refuzon klasifikimet kufizuese sipas veçorisë së mediumit të përdorur, por ajo sfidon edhe përfundimet e nxituara estetike që kanë të bëjnë me mendimin cliché mbi një gjeneratë, gjini apo përkatësi. Duke i zhvendosur format e zakonshme, apo duke animuar regjistrime që vijnë nga kontekste të veçanta politike dhe nga sfera të ndryshme të botës mondane të konsumit, ajo ofron lexime alternative të imazheve, objekteve dhe materialeve ekzistuese. Këto kompozime të reja dhe ende të padefinuara shpalosin marrëdhënie dhe ndërvarësi të pazakonta mes komponentëve të tyre heterogjenë.
Një perde e tejdukshme, katër mure mbrojtëse me përmasa reale dhe banerë të ngjyrosur me sprej, na bëjnë të ndërrojmë rrugë kur ecim korridoreve të galerisë. Një robot me krahë i ndërtuar nga mbetjet e kampeve ushtarake të NATO-s në Kosovë ngjan si mishërim i diçkaje mes një engjëlli të historisë dhe një lajmëtari me inteligjencë artificiale nga e ardhmja. Dhe përderisa publiku përballet me retë-si-fytyra që duken si shëmbëlltyra të vetkrijuara, në anën tjetër një trup abstrakt kryqëzon gishtat pas shpinës. E gjithë hapësira e ekspozitës ngjan si një shfaqje e inskenuar, ku potenciali i fshehur performativ i veprave vihet në jetë nga vetë imagjinata që nxit tek publiku.
“Këtu – apo atje, është më atje” është prezantuar për herë të parë në Kunsthalle Lingen (14 tetor, 2017–14 janar, 2018) dhe më vonë në Kunsthaus Hamburg (20 mars–20 maj, 2018). Ekspozita në Tiranë është kuruar nga Leonie Radine.