“Agnus Dei” me regji e skenar nga Agim Sopi, ka triumfuar në Canada Independent Film Festival, duke rrëmbyer çmimin e filmit më të mirë “Best Feature Film”.
Edicioni i festivalit të këtij viti u mbajt në Montreal të Kanadasë dhe përfundoi ditën e djeshme, duke shpallur edhe fituesit për secilën kategori. Në të morën pjesë produksione nga SHBA, Gjermani, Francë, Kroaci, Brazil, Serbi, Hollandë, Kinë, Itali, Kosovë e shumë të tjerë. “Agnus Dei” u shfaq në natën finale të festivalit dhe mori një përkrahje shumë të madhe.
Lorena Sopi ishte personi që pranoi këtë çmim të madh në emër të ekipit, gjatë natës gala që u zhvillua në sallën e Cinema Park të Montreal.
Para dhjetë ditësh, filmi Agnus Dei ka fituar edhe çmimin e filmit më të mirë me metrazh të gjatë “Përzgjedhje speciale/Best Feature – Special Mention”, në edicionin e këtij viti të Gold Movie Awards në Londër. Me këto dy çmime të reja, “Agnus Dei” ka fituar plot 93 çmime ndërkombëtare të marra nga më shumë se 200 festivale nëpër botë.
Ky film tregon historinë e trishtueshme të Petrit, një të riu rreth të tridhjetave, i cili po jeton një jetë të dëshpëruarish me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin, në një fshat në Serbi. Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes nënës së tij Maria dhe babait shqiptar Dinit.
Petri, shtyhet nga e ëma dhe nga shoqëria që të bashkohet me luftën në Kosovë. Ai arratiset nga lufta për të shkuar në Amerikë, por kapet dhunshëm dhe rekrutohet në një nga njësitë ushtarake në Kosovë. Gjatë luftës, ai vret babanë e vet biologjik, të cilin nuk e kishte njohur asnjëherë. Ky veprim e bind atë që të braktisë ushtrinë dhe të arratiset së bashku me një vajzë që kishte njohur…