Art & Kulturë

Filmi horror kult “The exorcist” mbush sot 44 vjeç! Ja disa fakte rreth tij

Asnjë nuk e dinte se kur bëri debutimin e premierës së tij më 26 dhjetor 1973, “The Exorcist” do të thyente rekordet e shikueshmërisë, për t’u vendosur në listën e filmave horror më të pëlqyer ndër vite.

Me regji të William Friedkin, ky film është adaptimi i librit të vitit 1971 me të njëjtin emër, që po ashtu shënoi sukses në shitje, duke u vendosur në listën e “Librave më të Shitur” të New York Times.

Një film i zhanrit horror-supernatyral, ai trajton historinë e një vajze 12 vjeçe e cila posedohet nga një demon. E shqetësuar për jetën e vajzës, mamaja e saj bën ç’të jetë e mundur për ta shpëtuar atë, duke parë si mjet shpëtimi ekzorcizmin që do të performojnë mbi vogëlushen dy priftërinj.

Kundrejt një buxheti prej 12 milionë dollarësh, ai arriti të bëhej një fenomen në botën e produksioneve kinematografike, duke mbledhur një shumë prej 441.3 milionë dollarësh. Suksesi i këtij filmi çoi në prodhimin e shumë filmave të tjerë që kanë zhvilluar një histori të njëjtë me të, por asnjëri nuk ka bërë bumin mediatik si “The Exorcist”.

Në rolet kryesore luajnë aktorët: Ellen Burstyn si Chris MacNail, mamaja e 12 vjeçares Regan (Linda Blair), e cila pushtohet nga një shpirt i keq. Në ndihmë do të vijnë dy priftërinjtë Lankster (Max Von Sydow) dhe Damien (Jason Miller), të cilët ia kanë dedikuar jetën luftës ndaj të keqes dhe supernatyrales, duke mposhtur shumë demonë që kanë ndeshur në rrugën e tyre.

“The Exorcist” nuk theu vetëm rekordet e shikueshmërisë; Vendndodhjet në të cilat është xhiruar ky film janë bërë atraksione për turistët e shumtë që janë fansa të horrorit. Më të shumtat e skenave nga filmi janë xhiruar në New York, edhe pse vendi ku banorët e historisë jetojnë është kryeqyteti, Uashington. Skena e parë e tij është xhiruar në qytetin antik të Mosul në Irak.

Shkallët e famshme që janë përdorur në këtë film, të cilat ndodhen në Georgetoën, Washington

Edhe pse një film horror, ai mbart në vetvete një temë që vazhdon të shqetësojë ende njerëzimin. Këtu flitet rreth përballjes midis së mirës dhe së keqes, fesë dhe mosbesimit, në të gjitha format e saj. Njeriu përballet vazhdimisht me vështirësi të ndryshme në jetë, saqë ndonjëherë humbet besimin dhe në rastet më të këqija, personaliteti i tij thyhet e ai transformohet në një person tjetër, që për syrin e jashtëm duket si një përbindësh i ngritur nga thellësitë më të errta të Tokës.

“The Exorcist” ka lënë shenjën e vet mbi kulturën popullore të prodhimeve horror. Ai u cilësua si filmi më i frikshëm nga revista “Entertainment Weekly” në vitin 1999, po ashtu edhe nga shikuesit e televizionit AMC në 2006, nga Movies.com në 2010, si edhe nga editorët e revistës “Time Out” në vitin 2014. Përpos kësaj, një skenë nga ky film është renditur e treta në listën e “100 momentet më të frikshme nga filmat” të revistës “Ranko”.

Kukulla që është përdorur në këtë film

Efektet speciale në këtë film janë të mrekullueshme për kohën kur ai është prodhuar. Të papriturat dhe rrjedha që marrin bisedat, si edhe performanca e aktorëve është për t’u lavdëruar. Në pikëpamjen e përgjithshme, ky film jo vetëm që ia vlen për t’u parë, por edhe do ta keni në listën tuaj të filmave më të pëlqyer.

Që prej vitit 2010, “The Exorcist” është pjesë e Regjistrit të Filmave Kombëtar të Amerikës, për shkak të rëndësisë historike dhe kulturore që përmban.

Në 22 janar të vitit 2016, kompania “20th Century Fox” lajmëroi se po zhvillonin një serial që bazohej në këtë film, të titulluar “The Exorcist”. Ky serial doli në 23 shtator 2016, ku luajnë në rolin kryesor Alfsonso Herrera (Migueli tek Rebelet), Ben Daniels dhe Kurt Egyiawan.

Alfonso Herrera ne serialin “The Exorcist”

 

 

 

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).