Ekspozitë e kuruar nga Luçjan Bedeni, sjell manipulimet që janë bërë në artin e fotografisë historia e komunizmit është dhe në foto.
Në qindra negativë që i nënshtroheshin procesit laboratorik ka pasur ndërhyrje për të hequr prej tyre, ata që konsideroheshin si “armiqtë e popullit”, apo “të ndaluarit”. Drejtori i Muzeut Marubi në Shkodër, ka studiuar këtë proces të rëndësishëm që shoqëroi artet shqiptare përgjatë gjysmë shekulli në diktaturë, për të sjellë elemente që e bëjnë më të plotë këtë kronikë të kohës. “Manipulim” quhet ekspozita që do të hapet më 3 gusht 2017, ora 19:45 në Muzeun Marubi në Shkodër. Shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes procesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit.
Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubi-t të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923, ku nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur.