Art & Kulturë

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”, më 19 shkurt tek Muzeu Kombëtar

Në Institutin për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) do të prezantohet ekspozita “Komunizmi në epokën e tij”.

Kjo ekspozitë vjen në Tiranë më datë 19 shkurt 2018, ora 18:00, në Pavionin e Diktaturës te Muzeu Historik Kombëtar, duke i paraprirë 27 vjetorit të rrëzimit të statujës së diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri. Ekspozita nuk vjen rastësisht në këtë datë, pasi 67 vite më parë, më 19 shkurt 1951, ndodhi edhe incidenti i bombës në Ambasadën Sovjetike, si pasojë e të cilit në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të PPSH. Muaji Shkurt në vetvete është një muaj kujtese. Më 27 shkurt 1967 nisi fushata dhe lufta e hapur kundër besimeve fetare, kundër klerit dhe institucioneve fetare, e kamufluar si “nisma revolucionare e rinisë”

Ekspozita “Komunizmi në epokën e tij” përshkruan ngritjen dhe rënien e lëvizjeve komuniste në shekullin XX. Botuesit e ekspozitës janë Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani, Muzeu Historik Gjerman dhe për versionin shqip Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Autori i saj është historiani gjerman Gerd Koenen. I ftuar për ta prezantuar këtë ekspozitë do të jetë kuratori i ekspozitës Dr. Ulrich Mählert, përfaqësues i Fondacionit Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermani.

Për më shumë informacion rreth ekspozitës vizitoni ju lutem faqen e internetit të IDMC: https://ëëë.idmc.al/en/exhibitions.html

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).