Artisti Greg Rama ka çelur për publikun artdashës ekspozitën e tij “Ex Nihilo”, në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB).
Greg Rama me prekjen e tij artistike bashkëkohore dhe këtë herë ka sjellë për publikun një ekspozitë të veçantë dhe ndryshe, ku frymëzimin dhe pikënisjen e kësaj ekspozite e ka marrë dhe krijuar nga asgjëja.
EX NIHILO – GREG RAMA / TEKSTI KURATORIAL
Fijebari – Përcjellës të një zgjatimi ëndërrtar pa fillim e pa mbarim si metaforë e krijimit nga jo-materialja, nga hiçi[latinishtex nihilo], ku “Arti synon t’i japë formë dhe peshë proceseve më të padukshme…t’i japë formë asaj që po zhduket përpara syve tanë. Jo dhe aq si objekte, sepse kjo do të thotë të biem në kurthin e sendërtimit, por si instrumenta përvoje.” *
Bulë uji – Materie e tejdukshme delikate, formë tranzitore e materies shpirtërore. Situatë e një përjetimi të përkohshëm, njëfarë “arti i ikjes nga koha, i pa bindur ndaj çfarëdo lloj fiksimi. **
Ex Nihilo – Instalacioni dhe hapësira në të cilën instalacioni merr jetë janë rrëfimtarë të përbashkët të një ngjarjeje të papërcaktuar dhe procesuale duke e futur qënien njerzore, sidomos publikun fizik, në paradhoma dhe dhoma simulakre, për ti shumëfishuar psikologjikisht ngjarjet, ndarjet dhe nëntekstet në hapësira mentale dhe shpirtërore.
Të tre dhomat në të cilat shtrihet ExNihilo janë vizatuar me linja drite imagjinare dhe prezantojnë një triptik kinematik. Brenda tij spektatori kthehet në personazhin kryesor, në ingranazhin vendimtar që plotëson veprën përfundimisht dhe shëtit kujtesën personale nga një territor në tjetrin në një botë çudirash, duke ndjekur në mënyrë intensive indet e errta jeshilore…. Imazhe të ngurta që i rrëshqasin para syve. Spektatorit i zbulohet pak nga pak, me një qartësi organike, bashkë me ca të vërteta të tjera, se kur të dale nga hojet ekspozitive bota do ti riprezantohet ndryshe, thuajse exnihilo.
Ekspozita “Ex Nihilo” nga artisti Greg Rama do të qëndrojë e hapur deri më 15 mars në galerinë FAB.