Skulptori dhe piktori Nelo Lukaçi, sjell ekspozitën që u hap në galerinë e arteve pamore të qytetit bregdetar.
Artisti 79-vjeçar nga Durrësi e ka titulluar “Ekspozita e unit” prezantimin e mbi 220 punimeve në skulpturë dhe pikturë, që nga fillimet e veprimtarisë në vitet 1960.
I njohur si skulptor i punimeve të rëndësishme së bashku me kolegë të tjerë durrsakë, Lukaçi paraqitet me një ekspozitë personale pas pothuajse 40 vitesh, duke tërhequr vëmendjen e shikuesve vendas dhe të huaj që vizitojnë Durrësin.
Në tablotë e ekspozitës bashkë me Durrësin antik, zënë vend portretet e mësuesve të tij të parë të artit, kolegët artistë, familjarët si dhe peizazhet dhe kompozimet mjaft interesante.
Mbi 15 autoportrete të punuara në kohë të ndryshme, bashkë me moshën dëshmojnë edhe rrugën artistike të skulptorit.
Nelo Lukaçi ka punuar më shumë se 30 vjet në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, duke i shtuar veprimtarisë së tij me qindra skica dhe restaurime objektesh arkeologjike. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit korrik.