Elida Diamanti, Anastasia dhe Olta Canka do t’ju njohin me një botë të veçantë idesh dhe punimesh nga fusha e ARKITEKTURËS, PIKTURËS dhe STILIMIT, gati për t’ju përcjellë nëpër re…
Elida
“Ideja e merr frymëzimin gjetiu dhe pas saj rrjedh një projekt. Projekti konkretizon formulimin volumor të objektit, jashtë e brenda, me muratura e themele të qëndrueshme e solide. Në qendër të secilit projekt unë vendos pasionin, dashurinë dhe profesionalizmin, në kërkim të më të arrirës, si për nga funksioni, estetika ashtu edhe për qëndresën e tij ndër vite.
Këtu ju paraqes disa projekte, një përqindje shumë e vogël, përzgjedhur mes punimeve, që datojnë nga viti 1980.
Janë punime me këto funksione:
banesë shumëkateshe, studime rezorte në bregdet bashkë me objektet përkatese, xhami dhe vila.
Paraqitja e këtyre projekteve është një mesazh për brezat e ardhshëm mbi përkushtimin që kërkon një projekt, i cili do t’i paraprijë një vepre të zbatuar pa vështirësi, që i shërben totalisht funksionit dhe kënaqësisë shpirtërore.”
Olta
“Të hedhësh një formë në letër do të thotë të krijosh një jetë të re. Në fillim ajo frymon dhe më pas, vijë pas vije, penelatë pas penelate, gjallon, merr kuptim… Piktura lindi me mua për t’i dhënë jetë jetës që më rrethon. Një nevojë e brendshme, e madhe po aq sa frymëmarrja, për të riprodhuar shpirtin e gjithçkaje të veshur nga format dhe ngjyrat e Krijuesit. Ajo është mjeti që më lejon të riprodhoj fotografimin që i bëjnë sytë e mi të dukshmes dhe të padukshmes për ta ndarë më pas me botën përreth.
Punimet e përzgjedhura këtu përfaqësojnë një dritare të vogël që i hapet shpirtit për të parë diçka më shumë nga bota e përtejme. Një dritare e vogël ku çdokush do të mund të shohë dhe të shihet njëkohësisht, për të përmbushur një ndër nevojat më madhore të njeriut: takimin me të përtejmen…
Dëshira ime është që kjo dritare sado e ngushtë të hedhë dritë në shpirtrat që do t’i afrohen asaj, për të marrë sado pak në takimin me të përtejmen…”
Anastasia
“Pasioni dhe dëshira për veshjet ka qënë përherë pjesë e imja që në fëmijëri. Kam qënë vazhdimisht në kërkim të një stili, që nuk e gjeja askund, derisa vendosa ta krijoj vetë. Gustoja, dashuria për copat, ngjyrat motivet, imagjinata ka qenë shtysa, motivimi kryesor që ma kanë mbajtur imagjinatën gjallë dhe iniciativën e pashtershme për të krijuar diçka të re, për të modifikuar diçka të vjetër, apo thjesht për të plotësuar një tekë të radhës.
Punimet që ju paraqes, përfaqësojnë një botë të re ngjyrash dhe kombinimesh, ku deri detaji më i imët ka për qëllim zgjimin e ndjesive dhe perceptimeve të reja.
Mendoj se çdo rruazë, aksesor, apo copë merr jetë në momentin e krijimit të vet, ndaj qëllimi im në këto punime është që ta përhap sa më shumë dhe të tregoj një botë të re stilesh dhe kombinimesh, të cilat u falin gëzim dhe lumturi kujtdo që i sheh, apo i përdor.”