Art & Kulturë

Eda Zari rikthehet në Prishtinë, sjell një “Udhëtim dimëror” në prag të festave të fundvitit

“Një program i pazakontë përmbush dëshira të vogla nostalgjike muzikale dhe kyçet me përmasën shpirtërore në muzikë. Përmes aranzhimeve të larmishme xhaz gërshetohen melodi aq të njohura, që tingëllojnë familjare, dhe përgatisin shpirtin për sezonin e festave të fundvitit.

Dimensioni shpirtëror në muzikë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, ndaj shkojmë muzikalisht pas në histori, për të njohur vlerën e ritualeve, festave, simbolikave.

Ritualet që ngrohin zemrën janë gjithmonë të mira. Nuk janë domosdo vetëm pikëpamjet e tradicionale fetare. Janë, bashkë me to, dhe ato rituale laike që japin shembuj, na tregojnë, së pari, si të paqtohemi dhe të festojmë të gjithë së bashku, në emër të dashurisë dhe paqes.

“Ja na erdhi viti i ri”, “Silent Night” janë këngë të njohura për çdo moshë. Pothuajse kushdo mund të këndojë nën zë e me zë duke bërë të pranishme ndjesinë e bredhave plot borë, të nuhasim biskotat e sheqerit që vijnë nga furra, të shohim dritaret e kuzhinës me avull. Dëshirojmë t’ju kënaqim, ndonëse sezoni i festave ende nuk ka filluar, duke ju sjellë përjetimin e një nate dimri me tinguj nga muzikantë të përkushtuar, dhe “Përralla nga e shkuara“!”, thuhet në njoftim.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).