E enjtja iku, por e la botën në gjendje shoku… Marrëveshja midis Disney dhe 21st Century Fox u prezantua për të gjithë qytetarët e globit. Tanimë, na ngelet vetëm një pyetje, pak a shumë retorike: Pra, Disney sapo u vendos në krye të prodhimeve të kinematografisë botërore?!
Blerja e mundshme e Century Fox nga Disney për plot 50 miliard dollarë, u prit nga i gjithë publiku me kundërshtime të forta. Rupert Murdoch (pronar i Fox), ka vendosur të shesi vetëm studion e tij filmike, ndërsa kanalin televiziv FOX, do ta mbajë për ta kthyer në një stacion politik.
E natyrshëm lind pyetja: Ҫ’do të ndodh me serialet dhe filmat tanë të dashur, për të cilët ka pasur të drejta eskluzive 21st Century Fox?
Siç duket, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe Disney arrin ta çojë blerjen deri në fund, serialet si: Empire, New Girl, Family Guy, etj, do të kalojnë nën mbikqyrjen dhe prodhimin e ABC Studios (Disney). A do të thotë kjo që historia dhe zhvillimi i tyre do të ndryshojnë? Shpresojmë që jo, por është rezultat që pritet.
Nga ana tjetër, nuk kemi si të harrojmë faktin se studiot Fox kanë sjellë disa prej prodhimeve kinematografike më të suksesshme, si: Shape of Water, 12 Years a Slave, Avatar, Planet of the Apes, Alien, etj. Vallë, si do t’i menaxhojë Disney këto prodhime?
Për mos të folur për prodhimet e studios Marvel, që ka qenë nën kontratë me Fox. The Avengers, New Mutants, Deadpool 2, X-Men: Dark Phoenix, Gambit, dhe X-Force, janë vetëm disa nga filmat që kjo studio do të publikojë në vitin 2018. Mesa duket, Disney do të ketë sërish të drejtat eskluzive mbi filmat e X-Men dhe Spiderman.
Pra, me pak fjalë, çdo film që ne adhuruesit e kinemasë dhe të superheronjëve të Marvel, duam aq shumë, rrezikohen nga kjo lëvizje e papritur midis studiove.
Megjithatë, neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim nëse kjo marrëveshje do të aprovohet nga rregullatorët e trusteve financiarë.
Dhe, sikur mos të mjaftonte, sigurisht që shfaqja “The Simpsons” e ka parashikuar këtë ngjarje, ashtu siç ka bërë me shumë evente të tjera të rëndësishme në botë…