Destinacion turistik rinor i fundjavave është kjo krahinë!

Çermenika është një krahinë pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, që ka një pozicion gjeografik dhe klimë mjaft të favorshme për zhvillimin e turizmit malor. Ajo është e gjendur mes malesh të larta, të cilat janë të mbuluara me pyje të mëdhenj shekullorë, lëndina, livadhe, pemë të larta, shpella karsike, liqene akullnajorë, burime me ujë të ftohtë, përrenj të rrëmbyer etj. Disa male të larta, siç janë: Malet e Kuqe(Park Kombëtar), Mali i Zgarës, Mali Ulok, Guri i Muzhaqit, Mali i Gurit, Mali i Kaptinës, Guri i Prevallit etj.,e rrethojnë krahinën nga të katër anët e saj. Erozionet kanë krijuar maja shkëmbinjsh gëlqerorë mjaft të thepisur, të përshtatshme për ngjitje dhe zbritje alpinistike. Aty ndodhen disa “Monumente” Natyrore, siç janë: Mështekna e Qarrishtës, Gurra e Koshorishtit, Liqeni i Floqit, Rrapat e Gurakuqit, Rrapi i Taksimit, Linjat e Zanës, Rrapi i Gizaveshit, Pylli me Gështenja i Gurakuqit, Ahishtja e Orenjës etj.

Në Çermenikë gatuhen disa lloje gjellësh tradicionale shumë të veçanta, të cilat kanë njëllojshmëri dhe shije të jashtëzakonshme. Disa nga gatimet më të veçanta janë: laknuri me qepë të njoma, dhallturi, laraciku, kaçamaku, qulli me arra, tava me pestil (mish me lëng), tava e kosit, çorba me të brendshmet e bagëtive të imta, krasati, koronik etj, ku vizitori i largët mund ti gjejë në bujtinat pritëse që së fundmi po marrin një shtrirje të gjerë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).