Art & Kulturë

Deklasifikohen dokumentet “sekret shtetëror” të diktaturës

Në Arkivin Qendror të Shtetit, ndodhen mbi 2 milionë fletë dokumentesh që janë të ende të klasifikuara që nga koha e sistemit diktatorial të Enver Hoxhës.

Bëhet fjalë për dokumente e shkresa, që i përkasin viteve 1945-1990, e që ende përbëjnë “sekret shtetëror” pavarësisht asaj që përmbajnë, pavarësisht se disa prej tyre, nuk kanë asgjë për të qenë sekrete.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, me cilësinë e kryetarit të Komisionit të Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit, ka firmosur një dokument që deklasifikon një sërë dokumentesh të periudhës moniste.

I pyetur nga “Gazeta Shqiptare” për arsyet e deklasifikimit dhe çfarë është pasur parasysh për sa më sipër, Bido sqaroi se dokumentet në fjalë prej vitesh nuk ishin prekur, dhe nuk janë bërë pjesë e asnjë procesi që shqyrton rëndësinë e tyre.
“Dokumentet po deklasifikohen sipas ligjit. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka ngritur një grup pune, një komision të përbërë prej 7 vetash që po merren me këtë punë. Çdo muaj ka mbledhje për të diskutuar mbi ecurinë dhe procesin. Ka mes 2 milionë dokumenteve, edhe dokumente që nuk arsye pse të jenë sekrete. Rreth 90% e tyre, japin të dhëna për bordet e kullimit, kuadrin e ministrive, personelin, e të tjera çështje normale të funksionimit të një shteti. Si të tilla, në komunizëm kanë qenë sekret, por sot nuk kanë pse të tjerë. Nëse në komunizëm organigrama e një ministrie ishte sekret, sot është detyrim të jetë publike. Deklasifikimi po bëhet në kuadër të arkivave të hapura”, tha Ardit Bido. Në Fletoren Zyrtare janë publikuar dje dy vendime sa i takon deklasifikimit të disa dokumenteve, siç bëhen me dije më poshtë.

Mes të tjerash, deklasifikohen dokumente, që janë njoftime të Ministrisë së Financave për grumbullimin e argjendit që përfitohet nga larja e filmave dhe fotografisë, si dhe për shkrirjen e arit dhe argjendit të dërguar në uzinën e bakrit Rubik, ose deklasifikohen dosje që e kanë humbur vlerën dhe qëllimin për të cilën janë klasifikuar, si dhe informacione mbi metalet e rralla që gjenden te Fondi 14 (Komiteti Qendror).
Arkivi bën me dije se deklasifikimi, është një procedurë e zakonshme e Arkivit Qendror të Shtetit. Por, këtë herë është bërë në një sasi më të madhe dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

VKM e fundit për dokumentet, kërkon që sa i takon dokumenteve që mbanin siglën sekret, bibliografia të botohet në Fletoren Zyrtare. Në dy vendimet që po ka publikuar kjo gazetë, sqarohet se dosjet deklasifikohen sepse kanë humbur vlerën dhe qëllimin për të cilën janë klasifikuar.

VENDIM 1
Vendimi Nr. 1, i datës 6 shkurt 2018, bazuar në ligjin 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, të ndryshuar, dhe vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 662, datë 15.11.2017, “Për miratimin e rregullores për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror””, KDZH, e ngritur me urdhër nr. 389, datë 20.11.2017, të Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, u mblodh më datë 6.2.2018, dhe pasi shqyrtoi relacionin e paraqitur nga Sektori i Shërbimit të Dokumentacionit, ka deklasifikuar plotësisht të informacionet e klasifikuara “sekret shtetëror”, si më poshtë:
– Fondi 505 (Ministria e Financave), viti 1973, D. 38 “Tepër sekret”; Informacione mbi disa probleme të punës për nxjerrjen e arit dhe argjendit në uzinën e bakrit Rubik, dërguar Koço Theodhosit, si dhe relacion mbi gjendjen e monedhës në thesar, dërguar Xhafer Spahiut.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1979, D. 796, “Tepër sekret”.
– Projektplani për prodhimin e metaleve të çmuara për vitin 1979, ardhur nga uzina e bakrit Rubik, si dhe projektplani i Ministrisë dërguar Komisionit të Planit të Shtetit.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1979, D. 682, “Tepër sekret”.
– Bilanci i arit për raportin e metalurgjisë për 3-mujorin e parë dhe të dytë të vitit 1979, ardhur nga uzina e bakrit Rubik.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1980, D. 569, “Tepër sekret”.
– Evidencë e ardhur nga uzina e bakrit Rubik për shitjen e arit dhe argjendit për vitet 1976, 1977, 1978, 1979.
– Fondi 496 (Ministria Industri Miniera), viti 1980, D. 768, “Tepër sekret”.
– Projektplani i prodhimit të arit dhe argjendit për vitin 1980 dhe relacioni përkatës dërguar Komisionit të Planit të Shtetit.
– Fondi 490 (Këshilli i Ministrave), viti 1985, D. 861, “Sekret”.

VENDIM 2
Nr. 2, datë 28.2.2018
Bazuar në ligjin nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, si dhe vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 662, datë 15.11.2017, “Për miratimin e rregullores për deklasifikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror””, KDZH, i ngritur me urdhër nr. 389, datë 20.11.2017, të Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, u mblodh më datë 28.2.2018, dhe pasi shqyrtoi relacionet e paraqitura nga Sektori i Dokumentacionit pas viteve 1944 dhe Sektori i Shërbimit të Dokumentacionit,
VENDOSI:
1. – Deklasifikimin plotësisht të informacioneve të klasifikuara “Sekret shtetëror”, si më poshtë:
Fondi 511 (Ministria e Arsimit) nga viti 1945 deri në vitin 1973,
Fondi 490 (Këshilli i Ministrave) Viti 1984, Dosjet: 34, 39, 56, 111, 113, 114, 155, 163, 169
Fondi 505 (Ministria e Financave) Viti 1980, Dosjet: 23, 26
Fondi 495 (Komisioni i Planit të Shtetit)
Viti 1970, Dosjet: 130, 131 “Viti 1971, Dosja 35
Fondi 527 (Komiteti Shtetëror i Grumbullimeve)
Viti 1963, Dosjet: 60, 67
Viti 1964, Dosjet: 45, 46, 138

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).