Art & Kulturë

Debati i ministres me artistët: “Teatri Kombëtar nuk do të mbyllet, Turbina është ambient shtesë”

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe artistët e Teatrit, janë përballur ditën e djeshme në një debat gjatë emisionit “Top Show”.

Përballë ministres e për të mbrojtur kauzën e tyre kanë qenë aktorët Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina.

Gjatë këtij debati, ministrja tha se ambientet te ‘Turbina’ nuk janë zëvendësuese të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, por ambiente shtesë, në dispozicion të Teatrit Kombëtar.

“Ambientet te ‘Turbina’ janë identifikuar dhe rikonstruktuar, për t’u vënë në dispozicion të Teatrit Kombëtar, por jo për të zëvendësuar godinën aktuale. Pra, te ‘Turbina’ ne kemi ndërtuar ambiente me kushte shumë më të mira se godina aktuale, për t’ua vënë në dispozicion, por normalisht që do të vijojë të funksionojë edhe teatri aktual”, u shpreh Kumbaro.

Në të njëjtën kohë ajo theksoi se do të ndërtohet një teatër dinjitoz, por se ende po studiohet projekti.

Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë. Në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare”, tha ministrja.

Por aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar.

Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë”, u shpreh ai.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).