Shkrimtari shqiptar nga Tetova i cili jeton në Vjenë të Austrisë botoi romanin e tij të parë me titull “1803” në gjuhët gjermane dhe atë suedeze. Ky roman u botua në shqip në vitin 2016.
Besim Xhelili emigroi në Austri në vitin 1998, ku dhe sot e kësaj ditë aty jeton. Deri më tani ka botuar në gjuhën shqipe 7 vëllime me poezi dhe një roman, i cili do të vazhdojë me dy pjesë të tjera, duke u bërë kështu një trilogji. Ai gjithashtu është prezantuar në disa antologji shqipe dhe gjermane, është anëtar i PEN Klubit austriak, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, një ndër themeluesit dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ndër themeluesit dhe kryetar në periudhën 2011-2015 i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, me seli në Vjenë dhe pritet në një të ardhme të afërt anëtarësimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
Një ndër qëllimet e tij madhore është prezantimi dhe përfaqësimi i denjë e i mirëfilltë i kulturës shqiptare, i letërsisë moderne shqipe, para së gjithash i asaj që krijohet në diasporë, përballë shoqërive vendase ku janë vendosur shqiptarët në diasporë.