Art & Kulturë

Autizmi: Unë jam si ti!

Nga Berjana Molla*

“Përshëndetje. Unë jam Autizmi! Unë jam një fëmijë i diagnostikuar me autizëm. Shumë prej jush shkruan për mua sot, por a e dini çfarë jam unë?!

Autizmi është çrregullim neurobiologjik i zhvillimit, është i lindur dhe shfaqet në fëmijërinë e hershme. Teorikisht kështu mendojnë për mua, por unë nuk jam aspak i nofkëzuar fizikisht, përkundrazi. Unë vodha tiparet më të bukura të mamit dhe të babit dhe linda një bebe e bukur, e adhurueshme!

Unë nuk kam një zemër të ftohtë, përkundrazi, nëse ju më mësoni si të dua, si të përqafoj dhe të puth, do arrij të jem fëmija më i dashur dhe më sociali në botë.

Jam pak çapkën, sfidues dhe kundërshtues. Unë terapisten e dua shumë, por herë pas here nuk e kam xhan sepse më lodh me ato kërkesat dhe komandat e shumta, sidomos kur vonon të më japë lodrën apo çokollatën tim të preferuar, përforcuesin si e quajnë këta terapistët. Ama e dua shumë sepse më kënaq me lojëra të bukura, kërcime dhe hedhje pafund.

Babi dhe mami mërziten me mua kur unë i sfidoj, por harrojnë se unë në fund të fundit jam një fëmijë dhe pavarësisht autizmit, të gjithë fëmijët kanë teka, qajnë, sfidojnë, por kanë edhe turp.

Mos u mërzit o babi me mua kur unë nuk i jap dorën shokut tënd, kur nuk i them “përshëndetje” apo “paçim”, thjeshtë jam fëmijë, edhe unë lodhem! Mami, mos u mërzit me mua nëse nuk mësoj dot mirë në të gjitha lëndët, më beso, unë e adhuroj matematikën.

Unë dua thjeshtë të më doni kështu siç jam sepse jam thjeshtë një fëmijë normal më të mirat dhe mangësitë e mia. Me durim dhe vullnet ju mund të më mësoni shumë gjëra. Mund të më mësoni se si të jem një fëmijë i dashur, i strukturuar, i pavarur dhe me unitet. Ju lutem, më falni dashuri!”

Sot, Në ditën Botërore të Autizmit, Letrën e shkrova unë, terapistia ABA dhe Logopedia që jam marrë me këta engjëj të vegjël, duke u bazuar tek ajo që kam parë dhe përjetuar çdo ditë teksa zhvilloja terapi me ta. Ndaj e shkrova duke uruar e shpresuar se një ditë këto dashuri, të mund shkruajnë vetë për veten e tyre, pasi duke parë potencialin e tyre, unë besoj fort se ata do të munden. *Logopede (MSC)

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).