Filmi me metrazh të shkurtër “Atila” me skenar dhe regji nga Benart Laze, u shfaq premierë ditën e djeshme për publikun në kinema.
Me interpretimin në rolet kryesore të aktorëve Bruno Shllaku, Nik Xheliaj, Luzlim Zeqja, etj, filmi përcjell një dramë të fuqishme për ditët tona. Aktori i njohur Bruno Shllaku e vlerëson si një eksperiencë të veçantë rolin e tij këtë herë si një kapiten anijeje. Një dramë, që sipas aktorit Bruno Shllaku është i punuar shumë bukur dhe më shumë dashuri.
Filmi është përgatitur nga shtëpia kinematografike “Filter Film” dhe është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Bruno Shllaku në rolin e kapitenit të anijes dhe Nik Xhelilaj në rolin e Kujtimit, personazh është dhe një fëmijë. Aktori Shllaku tregon për rolin, një burrë jashtëzakonisht i ndershëm, një njeri që e ka mbajtur familjen vetëm me shitjen e peshkut. Por drama nis që me mbytjen e vajzës së tij.
“E bija e personazhit tim bashkë me dhëndrin e interpretuar nga Nik Xhelilaj, hipin në një anije për tu larguar nga Shqipëria. Anija mbytet mes tyre shpëton dhëndri dhe fëmija, por e bija e tij mbytet. Kjo i ka shkaktuar një plagë të madhe në shpirt. Personazhi im kur del në det me anije i duket sikur e thërret për ndihmë vajza e mbytur. Ai kthehet i dëshpëruar në tokë në portën e vjetër të shtëpisë sepse nuk u kthye me vajzën”, tregon aktori.
Por në film është dhe një trafikant i qenieve njerëzore, i cili mplekset me Kujtimin për të kaluar klandestinë sirianë përtej brigjeve. Ngjarjet në film vijnë të tilla që ka përleshje dhe konflikte në anije.
“Me filmin “Atila” është një frymë e re mënyra se si u punua për kinemanë shqiptare. Xhirimet në Shëngjin dhe në det të hapur. Kamera në dorë mes valëve të detit dhe përkundjeve të anijes të krijohet përshtypja e publikut sikur është dhe ai i përshirë në një bord të anijes”, pohon aktori.