Art & Kulturë

Ata fluturojnë në krahët e njëri-tjetrit dhe të dy bashkë drejt suksesit. Rrëfimi i Ensës dhe Enit për Infokult

Eneida Daci/ Ensa dhe Eni dy balerinët profesionistë të trupës së baletit të televizionit Klan, në një intervistë për Infokult na tregojnë për projektet e tyre aktuale, ato që do të vijnë, për studion e kërcimit “World of dance Studio”, për të ardhmen dhe shumë detaje të tjera.

Ensa Llaci dhe Eni Balla kanë qenë pjesë e spektakleve si: Dance With Me, Kenga Ime, XFactor Albania, Musical Muziklan, C’ est la Vie, Your Face Sounds Familiar. Ndërsa tani ata janë pjesë edhe e emisionit Familja në Tv Klan me trupën e baletit të studios që ata drejtojnë, “World of dance Studio”.

Eni na tregon për foton që ka postuar me Erën në Instagram, ndërsa Ensa flet për marrëdhënien me Albën pasi kjo e fundit “mori Motin” në Klan.

Ensa dhe Eni janë çift si në skenë ashtu edhe në jetë, por preferojnë të ruajnë privatësinë dhe famën ta marrin vetëm nga puna e jo nga lajmet e showbizz.

Lexoni intervistën e plotë të realizuar nga Infokult.al me Ensën dhe Enin:

-Cilat janë projektet tuaja të kohëve të fundit?

Ensa: Së fundmi bashkë me Enin kemi publikuar një klip profesional kërcimi dhe jemi në punë e sipër për të sjellë klipe të tjera të veçanta të xhiruara në ambiente të ndryshme të Tiranës.

Ndërkohe kemi marrë përsipër për t’i aktivizuar sa me shumë fëmijet e studios tonë të baletit, ku gjatë muajit prill do realizojme disa performanca televizive.

Eni: Unë aktualisht po merrem me menaxhimin e studios së baletit, dhe gjithashtu së bashku me Ensen po punojme për të realizuar disa klipe kërcimi me koreografi të zhanreve të ndryshëm.

Jam pjesë e një organizate jofitimiprurese “Doart” dhe në datën 5 Maj, që është dhe dita e dëshmorëve, “Doart” me mbeshtetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ndërmarrjes së Dekorit Tiranë, organizojnë për herë të parë në Shqipëri Festivalin e Artistëve të Rrugës! Ku perveç argëtimit ky festival mbron një kauze siç është mbrojtja e Monumentit të Kulturës Radio Tirana.

-Ensa, ti dhe Alba dukeshit si një, po tani si e keni marrëdhënien? A jeni xheloze që ajo mori “motin” dhe ju jo?

Ensa: Shoqeria me Alben nuk filloi në emisionin “Stop”. Ne kemi qenë shoqe të mira prej vitesh, e vazhdojme të ruajmë të njëjtat raporte.

Nuk jam aspak xheloze, ne kemi një raport të ngushtë shoqëror dhe më bëhet shumë qejfi për të.

-Eni, në Instagram ju kemi parë në një foto me Era Istrefin, do të bëni ndonjë bashkëpunim?

Eni: Në fakt kam qenë pjesë si balerin e klipit të saj më të ri me Nora Istrefin. Mendoj që është një klip shumë stil e i veçantë, por mbetet për ta parë kur të publikohet.

-Nëse do ju vinte një ofertë nga televizionet konkurrente me Klan do e ndërronit?

Ensa: Klan me shumë sesa punë është familje… Aty u rrita profesionalisht, por mua si individ më pelqen tëndërrmar sfida. Nëse do kisha dy oferta njëkohësisht nga Tv Klan dhe ndonjë televizion tjetër, padyshim do zgjidhja gjithmonë TV Klan.

Eni: Klani për mua më shume sesa televizion, është familje… Ndoshta për ndonjë eksperiencë ndryshe mund ta ndërroja, por gjithmonë nëse Tv Klan nuk do kishte asnjë program që ka të bëjë me punën që une bëj aty… Prit, ky nuk quhet ndërrim…

-Po nëse do t’ju vinte një ofertë tunduese jashtë vendit, a do të linit çdo gjë në mes dhe të bënit gati valixhet?

Ensa: Nëse do më ndihmonte të rritesha më shume profesionalisht, pse jo?! Do rikthehesha në vendin tim dhe eksperiencën e fituar, do e ndaja me studentët e mi.

Eni: Nëse oferta tunduese përkthehet thjesht nga ana monetare, nuk do lija çdo gjë. Unë së fundmi kam hapur një studio baleti dhe kam përgjegjësi për shumë individë që më kanë besuar… I qëndroj besnik punës sime.

-A keni  ndonje idhull nga balerinet shqiptar?

Ensa: Vendi yne ka pafund talente por unë në fakt frymëzohem nga balerinet e huaj, ku mund të permend balerinën amerikane Kaycee Rice, e cila ka një stil shumë unik.

Eni: Në fakt gjithmonë jam frymëzuar dhe kam ndjekur teknikat e balerinëve të huaj. Figura që më frymezon është amerikani Derek Hough.

https://www.instagram.com/p/BvRgcPFnq7X/

-Studio juaj e baletit “World of dance Studio”, si po ecën?

Ensa: Le të themi që brenda 1 viti jemi bërë një familje e madhe e mbushur me artistë të vegjel. Femijët e grupmoshave të ndryshme kanë arritur të shkëlqejnë dhe të shpalosin talentin në aktivitete të ndryshme, deri në ato televizive, ku mund të përmendim performancat në emision “Familja” në Tv Klan. Ndihem shumë e motivuar për të bërë më të miren për ta .

Eni: Kemi ecur goxha mirë dhe shpresoj të rritemi në të tilla ritme edhe vitet e ardhshme.

Kemi bërë më të mirën për të aktivizuar sa më shumë talentet e vegjël. Dhe më vjen mirë që baleti është kthyer në një kulturë për femijet dhe adoleshentët të cilët mësojnë bazat e baletit edhe nëse në të ardhmen do të kenë një profesion tjetër.

https://www.instagram.com/p/BuT0yCJnfgb/

-Ju punoni me fëmijët e vegjël, ka shumë vajza apo djem të vegjël që deshirojnë të bëhen balerinë, por a mjafton vetëm dëshira për të shkëlqyer në këtë fushë?

Ensa: Sigurisht që jo. Talenti është një avantazh, por kryesor janë vullneti dhe puna. Mendoj se me punë arrihet çdo gjë.

Eni: Mendoj se kush punon fort e arrin gjithmonë atë që do. Sigurisht të bëhesh balerinë apo balerinë duhet një kombinim i talentit dhe punës ku përqindjen më të madhe e zë puna.

-Për moshën që keni mendoni se jeni në pikën e duhur të karrierës suaj?

Ensa: Mosha që kam është burim energjie dhe kreativiteti… Mendoj se ndodhem në pikën e duhur… Ndërsa pika finale për karrierën do jetë pjekuria dhe  eksperienca disavjeçare që do kem… Kot nuk thonë, çdo gjë me moshë.

Eni: Për moshën që kam mendoj që po bej atë që dua më shumë sepse krahas karrierës individuale po jap dije nga eksperienca ime për shumë femijë dhe adoleshentë…/ Infokult.al

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).