“Artisti i vetëm, trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për t’u vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmën. Në fund të tekstit Hans Klip vetëlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke rënë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.
Vepra në mesazhin e saj, bën thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivlerës.”
Rreth Autorit:
Ralph Hammerthaler është i lindur me 2 dhjetor 1965 në Wasserburg në Gjermani. Aktualisht jeton në Berlin, ku e ushtron veprimtarinë e vet prej shkrimtari. Ai botoi romanet: “E tëra në rregull”, “ Por ky është kapitulli tjetër”, “Rënia e Friderich Voss” dhe “ Një romancë e shkurtër krimi”. Në vitin 2006/2007 ai punoi si dramaturg në Berlin Schaubühne. Libretoja e tij “Bestmanoper” për kriminelin nazist të luftës Alois Brunner, u luajt si vepër muzikore nga Alex Nowitz. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe janë luajtur në Berlin, Halle, Dyseldorf, Mynih, Mexico City dhe në Omsk. Ai ishte i angazhuar si zyrtar në Dresden (2011), Rheinsberg (2012), Prishtinë (2013) dhe Split (2014). Punoi si kolumnist në revistën për teatër “Theater der Zeit”. Ai gjithashtu shkruan në Süddeutsche Zeitung mbi letërsinë spanjolle dhe latino- amerikane.
Ai është anëtar nderi i teatrit Sombrero Azul në Mexico City. Në vitin 2018 botoi romanet “Nën bashkëpunëtorët” dhe “ Dueli i lojës” si dhe esenë “ Rruga e tregut”.
Biografia e shkurtër e inskenuesit:
Aktori Naim Berisha ka lindur më 31 janar 1979 në Pejë. Studimet bazike për aktrim dhe nivelin e studimeve master i ka mbaruar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Është aktor i mbi 30 roleve në teatër dhe film. Është themelues i “Stop teatrit” (teatër alternativ i cili promovon realizimin e shfaqjeve teatrore në mes të rrugës, ku qarkullojnë automjetet).
Merret poashtu me regji dhe skenar. Prej vitit 2009 është pjesë e Trupës Rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në opinion është i njohur si artist jokonformist dhe zë i fuqishëm protestues, kundër trendeve negative teatrore dhe artistike në vend.
Në shfaqjen ” Artisti i vetëm” luan aktori Naim Berisha (në rolin e Hans Klippit).
Regjinë e shfaqjes e ka bërë Naim Berisha.
Regjisor mbështetës: Shkëlqim Bunjaku.