Piktori dhe grafisti shqiptar Burhan Ahmeti po ecën mjaft mirë në karrierën e tij profesionale. Ai është ftuar nga Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll që të udhëheqë punëtorët e grafikës artistike me ngjyra në kuadër të projektit Engravist që ka nisur me 5 shtator dhe përfundon me 9 shtator. Artisti Ahmeti po ashtu do të marrë pjesë në një aktivitet goxha të rëndësishëm të grafikës artistike në Kinë.
“Nga data 5-9 shtator të këtij viti jam i ftuar në Universitetin Yildiz Teknik në Stamboll si udhëheqës i punëtorisë së grafikës artistike me ngjyra, në kuadër të projektit Engravist. Ky projekt përfshin 8 workshope që do udhëhiqen nga profesorë të grafikës me renome nga Turqia dhe Maqedonia, ku secili profesor do të demonstrojë teknika të caktuara të grafikës. Unë jam caktuar që ta udhëheq grupin me diku 16 studentë dhe disa profesorë, ku pritet që gjatë atyre ditëve të punojmë bashkë disa teknika të grafikës me ngjyra, me shtyp të thellë dhe të lartë. Çdo workshop do ketë nga 10-16 studentë apo profesorë tjerë të interesuar”, ka treguar artisti, duke vazhduar tutje të thotë që shpreson se me njohuritë dhe përvojën e tij profesionale sadopak do t’iu ndihmojë studentëve dhe kolegëve të tij në Stamboll, njëherësh edhe duke shkëmbyer eksperiencat e tyre.