Art & Kulturë

Arkivi Qendror i Filmit promovon tre libra mbi kinematografinë

23 Nëntor, 11:00, Arkivi Qendror i Filmit

Nesër më 23 nëntor, në orën 11:00, në Arkivin Qendror të Filmit do të promovohen tre libra mbi kinematografinë: “Historia e Kinematografisë Shqiptare 1945 – 1990 – Vëllimi III – Filmi kronikal dhe dokumentar,” nga Abaz Hoxha, “Bazat e krijimit të filmit” dhe “Bleta e vogël – Skenarët e filmit,” nga Pjerin Logoreci. Gjithashtu do të shfaqet premiera e dokumentarit “Praga, gjurmë kujtimesh,” një film portret mbi studiuesin Abaz Hoxha. Dokumentari vjen me regji të Ilir Harxhit dhe skenar të Angjelina Paplilos.

Studiuesi Abaz Hoxha, me një prodhimtari të pasur librash mbi kinematogafinë shqiptare dhe botërore, sjell vëllimin e tretë të kolanës Historia e Kinematografisë Shqiptare. Këtë herë vëllimi fokusohet te gjinitë e filmave dokumentarë dhe kronikalë të periudhës 1945-1990, prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e re”.

Ndërsa “Bazat e krijimit të filmit” nga Logoreci synon të ndihmojë të rinjtë që kanë zgjedhur rrugën e filmit duke e shpjeguar materialin në aspektin teknik dhe artistik. “Bleta e Vogël” vjen si përmbledhje e skenarit letrar dhe atij tekniko-regjisorial të filmit të animuar me kukulla me të njëjtin titull, prodhim i vitit 1985.

Dokumentari “Pragë, gjurmë kujtimesh” shfaq rikthimin e Abaz Hoxhës në Pragë, ku ai kreu studimet.

Hyrja do të jetë e lirë për publikun.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).