Art & Kulturë

Agim Sulaj sjell “Rrënjët 2” në Tiranë

Artisti i njohur Agim Sulaj i vlerësuar në botë me veprat e tij këtë dhjetor ka çelur në Tiranë ekspozitën “Rrënjët 2”. Janë 27 vepra që janë prezantuar në këtë ekspozitë për publikun, punime në vaj dhe për herë të parë prezantohet dhe vizatimi origjinal i vlerësuar me çmim të parë në Londër “Valixhja e refugjatëve”.

Piktori dhe karikaturisti i njohur vjen me këtë ekspozitë në Tiranë te hotel Plaza pas asaj që çeli një vit më parë. Piktori tregon se në aktivitetin e tij artistik ka gjithmonë dëshirë, që të vijojë të jetë me prezantimin e veprave të tij në Shqipëri.

“Dëshira ime e këtij viti ishte për tu prezantuar me punimet e mia, me të rejat e krijimtarisë sime në Tiranë, me artdashësit shqiptarë dhe ambienti ku unë vij për herë të dytë me ekspozitën “Rrënjët 2” është i tillë që unë mund të prezantohem si një galeri, ku mund të jem çdo fundviti dhe mund të sjell sërish punime. Si një minigaleri ku unë mund të prezantohem me veprat fituese në arenën ndërkombëtare qoftë në karikaturë, si dhe me veprat e reja që përshkruajnë historinë e vendeve dhe timen personale të rritjes artistike. Unë kam dëshirë që herë pas here t’ia sjell veprat e mia publikut shqiptar”, tregon artisti i njohur.

“Valixhja e refugjatëve” e artistit Agim Sulaj rrëmbeu çmimin e parë në Londër në një prej konkurseve më të rëndësishme organizuar nga “The Derwent Art Prize”. Mes shumë veprash nga artistë të huaj, puna e artistit shqiptar mori çmimin e parë. Për këtë vepër artisti pohon se ka dëshirë që të jetë dhe realizuar në bronz dhe të vendoset në Vlorë.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).