Bota e vajzave midis traditës dhe modernitetit

Performancë muzikore Andrra w Matthias Grübel – Intimate Duo Gig dhe diskutime në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave
E enjte, 11.10., ora 19:00, Tulla – Culture Center, Tiranë
Hyrja e lire!

Pavarësisht konventave ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, shpesh bota e vajzave mbetet e padukshme. A mund të kontribuojë muzika që vajzat të fitojnë një zë dhe të drejtat e tyre të dëgjohen? Çfarë roli luan gjuha për këtë? A mundet që muzika dhe gjuha të krijojnë botë të reja për vajzat?

Ekziston një traditë e gjatë në këngët folklorike shqiptare, që ndër brezat e grave transmetojnë zakone patriarkale, sipas të cilave vajzat në moshë adoleshente martoheshin kundër dëshirës së tyre, nuk arsimoheshin dhe nuk kishin mundësi të vendosnin vetë për jetën e tyre.

Këngëtarja ANDRRA, emri artistik i Fatime Kosumit, i performon këto këngë me mjete moderne muzikore dhe i sjell ato në situatën e tanishme të shumë vajzave të reja, të cilat në një shoqëri të karakterizuar akoma nga patriarkalizmi, detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe të largohen nga shkolla.

Në aktivitet do të prezantohen këngë dhe do të zhvillohen biseda me këngëtaren ANDRRA dhe me studiuesen për çështjet gjinore Delina Binaj me pjesëmarrjen e publikut.

Gjithashtu Fatime Kosumi do të bashkëbisedojë me nxënësit dhe nxënëset e Liceut Artistik „Jordan Misja“ paraditen e dt. 11.10. në kuadër të një seminari ku ajo do flasë mbi procesin krijues të këngëve të saj dhe mesazhin e tyre.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).