Nevruzi është emri i vitit të ri Iranian, që njihet ndryshe edhe si Viti i Ri Pers, prej nga të cilit vjen edhe emri, që do të thotë “Dita e re”. “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.
Dita e Sulltan Novruzit përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe, ku në këtë datë çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa për njerëzimin. Në këtë ditë, besimtarët shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Kjo festë ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, gjatë shekujve XV-XVI. Në shekullin e 20-të dhe në mënyrë të veçantë në mesin e këtij shekulli, kjo festë u shndërrua në një manifestim mbarëkombëtar.
Por, në vitin 1967, diktatura komuniste që prirej drejt ateizmit, i mbylli në atë kohë të gjitha objektet e kultit, duke përfshirë edhe ato të besimit bektashian.
Sot, Dita e Novruzit festohet në të gjithë Shqipërinë pas dekretimit të saj si festë kombëtare në vitin 1996.
Ajo është festa më e rëndësishme në fenë bektashiane, e cila është kryesisht e shpërndarë në jug të vendit, por edhe përgjatë territorit të Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë e Maqedoni, ku krahas sunitëve, ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Dita e Novruzit festohet edhe në vende të tjera të botës myslimane, në ditë që variojnë nga 20 deri më 26 mars, si:
Afganistan – 21 mars
Gjeorgji – 21 mars
Azerbaixhan – 20 deri më 26 mars
Kirgistan – 21 mars
Kosovë – 21 mars
Irak – 21 mars
Iran – 20 deri më 24 mars
Kazakistan – 21 deri më 24 mars
Shqipëri – 22 mars
Taxhikistan – 20 deri më 23 mars
Turkmeni – 20 deri më 23 mars
Uzbekistan – 21 mars