Vepra 1 (Fëmijëria, Djalëria, Rinia) dhe Vepra 2 (tregime dhe novela) të Tolstoit, në shqip nga Shpëtim Çuçka

Leximi i VEPRËS 1 (Fëmijëria, Djalëria, Rinia) përforcon te ne bindjen se secili prej nesh ka në jetë një mision për të luajtur.

Vetë Tolstoi, ka si mision të tijin të na tregojë si për veten ashtu dhe për të tjerët se njeriu nuk mund të jetojë pa një kuptim të jetës, se ky kuptim i jetës nuk mund të jetë ngushtësisht egoist dhe se nuk mund të ketë kuptim të vërtetë të jetës për veten, pra kur jeta nuk kthehet nga qëllim në mjet. Vetëm në këtë rast mund të themi se njeriu ka një mision, sado i thjeshtë qoftë ky, duke arritur të ndërtojë edhe te kalimtarja, tek e përkohshmja, atë që është e qëndrueshme, e përjetshme, pra të shohë përtej hijes së vdekjes vetjake dhe frikës biologjike prej saj.
Gjatë leximit do të kuptojmë se çfarë ndikimi kanë në jetën e fëmijës, djalit dhe të riut bota materiale dhe tërësia e njerëzve, roli që luajnë në formimin e heroit fillimisht njerëzit e familjes, të afërmit, miqtë, të njohurit, të panjohurit, shërbëtorët, mësimi, leximi, muzika, natyra, gjithçka dhe gjithkush që ai ndesh gjatë periudhës së rritjes.

Shkurt, leximi i vëmendshëm i kësaj vepre të Tolstoit është mënyra më e mirë për të shijuar dhe vlerësuar gjithë veprën e Tolstoit dhe për t’u bindur se çështja e edukimit të njeriut është aq e rëndësishme për të gjithë shoqërinë dhe se fatet e gjithë shoqërisë përcaktohen në mënyrë vendimtare nga edukimi qytetar i brezit të ri.

Ndërsa VEPRA 2, që përmbledh tregime dhe novela, ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën, pavarësisht se në ç’kushte kjo zhvillohet, ka të bëjë me shkollën e dytë të njeriut, atë themeloren dhe të fundit, ku të gjitha ç’janë fituar në jetë gjatë edukimit vihen në provë.

Teksa lexon vëllimin e dytë të duket sikur janë ca ngjarje të lexuara, të dëgjuara e të para diku dikur, ngjarje të përjetuara, që na paraqesin një jetë në paqe e në luftë, si një jetë që mes paqes ka luftën e saj.

Është një vëllim që na fton për të njohur veten, jetën, për të mësuar ç’është parësore dhe ç’është e dorës së dytë, cili është kuptimi i jetës së individit dhe ç’vend zë shoqëria.
Arti i madh të fton në të tilla mendime.
(Marrë nga PARATHËNIA – SHPËTIM ÇUÇKA)

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).