Mbyllet xhamia e Et’hem Beut në Tiranë

Xhamia historike e Et’hem Beut në kryeqytet ka mbyllur përkohësisht dyert e saj, pasi do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë.

Ylli Gurra, Myftiu i Tiranës, e ka konfirmuar këtë lajm, ku ka deklaruar se restaurimi do të bëhet si pjesë e marrëveshjes midis Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar. Punimet në këtë xhami kanë nisur zyrtasisht sot dhe priten të zgjasin deri në dy vite, kohë në të cilën aty nuk do të kryhen as shërbesa fetare.

Marrëveshja e firmosur javën e kaluar mes Ministres Mirela Kumbaro dhe kreut të KMSH-së Skënder Bruçaj, parashikon restaurimin e 5 monumenteve kulture të besimit islam dhe konretisht:

– Xhamia Mbret, Berat;

– Xhamia e Beqarëve, Berat;

– Teqeja e Helvetive, Berat;

– Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë;

– Xhamia e Pazarit, Gjirokastër;

Kështu, xhamia e Et’hem Beut do të mbyllet sërish pas një periudhe 27-vjeçare, ku u rihap pas lejimit të ushtrimit të besimit nga regjimi komunist, me ardhjen e erës demokratike.

Që nga 1967 e deri më 1991, Et’hem Beu mbeti një monument kulture që ruhej nga shteti, pa iu ndryshuar funksioni, siç ndodhi me të tjera xhami të cilat u shndërruan në vatra kulture apo magazina.

Sakaq, xhamia e Et’hem Beut, njihet ndryshe edhe si simbol i kryeqytetit shqiptar, pasi veç funksionit bazë, atë të kryerjes së ritualeve për besimtarët, kjo xhami përbën dhe një objekt me një vizitueshmëri të lartë turistike.

Për Tiranën dhe qendrën e saj, ajo mbetet si një nga vendet më të tërheqës së masës së atyre që vizitojnë kryeqytetin, të huaj apo shqiptarë nga trojet e tjera.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).