109-vjetori i lindjes së humanistes Nënë Tereza

Sot shënohet 109 vjetori i lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, u bë më njeriu më popullor në botë për shkak të manifestimit të ndjenjës së humanizmit. Ajo kaloi 45-vjet në shërbim të plotë të varfërve, të të sëmurëve, jetimëve duke ofruar dhe kërkuar ndihma për ta në mbarë botën.

Nënë Tereza u lind në Shkup në 26 gusht të vitit 1910 nga prindër shqiptarë. Në moshën 18 vjeçare, e nxitur nga dëshira për t’u bërë misionare, Gonxhia u largua nga shtëpia atërore për të hyrë në Institutin e Motrave të Loretos.
Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë.

Më 10 shtator 1946, gjatë shtegtimit me tren nga Kalkuta, në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, motër Tereza, profesoreshë gjeografie në shkollën e mesme të vajzave, ndjen thirrjen në thirrje. Del nga mjediset e qeta të Institutit drejt e në rrugë të madhe, ku e thërret zëri i Krishtit. Bëhet e varfër, në mes të varfërve, si Zoti, të cilit ia kushtoi gjithë jetën. Më 17 gusht 1948 vesh për herë të parë sarin e bardhë me vija blu të grave të varfëra indiane. E veshur me këtë rrobe të përvuajtur, me këmbët mbathur me sandalet, më pas simbol i shtegtimeve të saj në lagjet më të varfra të mbarë botës, ajo nisi t’i kërkonte të varfërit më të varfër nëpër të gjitha skutat e Planetit.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori Çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare.

Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Shqiptarja trupvogël ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

“Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, do të shprehej Nënë Tereza.

Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes.