Art & Kulturë

Më 1 Nëntor hapet ekspozita “Shtatë fotografë shqiptarë. Një rezidencë”

“Shtatë fotografë shqiptarë gjenden në Shkodër, në kryeqytetin e dikurshëm të Shqipërisë, të ftuar nga Art House dhe Muzeu Marubi për të evokuar disa imazhe të thjeshta e të thella që i frymëzojnë. Emigrimi, ky ekzil i paemërt, është pjesë e rrugëtimit të secilit. Nuk e dimë akoma çfarë i mban kaq të lidhur: shpirti i vendit, dashuria për vendlindjen, ndërgjegja e qartë e një ripërtëritjeje kombëtare…
Duke hedhur një vështrim nga e kaluara, punët e tyre herë lidhen me të moshuarit që vazhdojnë të jetojnë në vendin e lindjes e herë të tjera shkojnë akoma më larg, në kohën e paraardhësve apo themeluesve. Peizazhin ata nuk e analizojnë, e sodisin. Sa i afërt po aq i largët, nuk arrijnë të kuptojnë çka t’i heqin e çka t’i ruajnë. Në disa udhëtime të bëra në pak kohë, e parandjejnë që kthimi në vendlindje shoqërohet nga një mjegull e dendur, por që nuk është kurrë shumë vonë.”

Për herë të parë, hapësirat e muzeut i hapen një grupi artistësh shqiptarë të rinj.
Përzgjedhja e tyre erdhi përmes një thirrjeje të hapur të përbashkët të Art House dhe Muzeut Marubi për edicionin e tretë të rezidencës artistike Art House School të titulluar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019), i cili u fokusua në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me imazhin dhe mundësitë komplekse që aktivizon ky raport.
Artistët – Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani – kaluan një periudhë katër javore në Shkodër ku përmes prezantimeve të veprave të realizuara, diskutimeve mbi projekte apo intuita fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, leximeve të teksteve e projektimeve të filmave, refleksioneve e debateve u krijua një hapësirë për kërkim individual.
Në përfundim të kësaj eksperience, ekspozita vjen si një moment njohjeje me skenën shqiptare bashkëkohore duke shprehur njëkohësisht edhe vëmendjen e Muzeut Marubi ndaj dinamikave të saj.
Ekspozita do të organizohet në hapësirat e Muzeut dhe Art House e mbështetet nga Ambassade d’Albanie en France / Ambasada e Shqipërisë në Francë dhe Art House.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).