Përmbledhje
Poezia çame përbënë një pasuri në historinë dhe kulturën tonë kombëtare me larminë e këngëve e poezive, me frymë poetiko-letrare si gurrë e pashtershme dhe një objekt i vlefshëm studimi si pasuri leksikore, me të folmen çame dhe një pasuri gjuhësore e patjetërsueshme, ku s’kanë munguar hulumtimet dhe studimet e ndryshme etnolinguistike dhe përgjithësisht në fushën e dialektologjisë. Sot në punimin tonë ajo përcjell jo vetëm frymën dhe aromën e kulturës dhe traditës çame, por shihet e lidhur ngushtë me mënyrën e të ndërtuarit të leksikut dhe frazeologjisë, që përkon me të folmen çame. Dukuria artistike e prurjes së kësaj pasurie e frazeologjisë popullore çame, ka vlerën e një produkti të veçantë, kreativ e figurativ, e parë në fusha konceptore përmes përdorimit të kësaj frazeologjie në këto poezi. Ato vijnë të lidhura ngushtë me mjediset çame, ku spikatin bukuritë e vendeve e fshatrave çame dhe zakonet e tyre, të cilat i ruajnë me fanatizëm edhe sot, si vlerë e autoktonisë dhe e zhvillimit të tyre në kohë, pavarësisht se tek brezi i ri, zenë vend prirjet drejtë zevendësimit të të folmes çame me standardet e shqipes së përgjithëshme përkrah gjëgjësive të tyre dialektore.
Fjalë kyçe: e folmja çame, fusha konceptore, frazeologji, ngjyrime semantike e emocionuese.
Hyrje
Ky punim bën objekt poezinë çame dhe veçanërisht, frazeologjinë e përdorur si një pasuri leksikore me një domethënie semantikore të thellë, ku figurshmëria dhe nënkuptimi i brendshëm, vijnë të studiuara në fusha konceptore të lidhura me mjediset dhe trevat çame; me natyrën e vendeve skajore jugore çame; me atdhedashurinë çame dhe temën e patriotizmit; me kulturën e traditën e veshjeve e të mënyrës së jetesës; me figurën e spikatur të vashëzës çame dhe dashurinë si motiv i poezisë lirike; me punët në bujqësi e blegtori; me botën e kafshëve e të shpendëve; me emocionet që sjellin vlera semantike në mardhëniet farefisnore, në dasmat e tyre, në problemet shoqërore etj., ku do të mundohemi të hedhim dritë në një vjelje të frazeologjisë së përdorur në këto poezi, për të treguar vlera artistike si një pasuri poetiko-letrare në leksikun e shqipes me një veçanti, atë të të folmes çame. “Krejt lënda që na vjen nga Çamëria ka merituar dhe meriton të shqyrtohet e të studiohet edhe më gjerë”[2] – shprehet studiuesi Gj. Shkurtaj në kumtesërn e tij “Vlera dialektologjike dhe etnolinguistike të së folmes së Çamërisë”.
Pavarësisht evolimit të gjuhës sot, ku sipas studjueses E. Troplini “në zhvillimet leksikore, rol parësor në ruajtjen e fjalëve të ndryshme, marrin edhe faktorë të tjerë si: rethana, çasti i ligjërimit, situata, përdorimi për qëllime të ndryshme emotive, krenaria për origjinën, humori etj., nuk mund të mos vlerësojmë edhe faktorë të tjerë, siç janë lidhjet me arsimin, veprimtarinë prodhuese, veprimtarinë kulturore e shoqërore etj.,…si edhe me faktorë të tjerë shoqëror e natyror po aq të rëndësishëm si martesa, mosha, gjinia…”[3]ku gjuha dhe ligjërimi çam kanë pësuar lëvizje e ndryshime ndër breza. “Ndryshimi gjuhësor nxitet e përcaktohet nga zhvillimi i kulturës, veprimtarisë prodhuese, mjeteve të reja teknike, jetës politiko-shoqërore, përparimit e shkencës, elektronikës etj., nën trysninë e të cilit është edhe vetë gjuha standarde. Dhe për sa kohë gjuha standarde do të jetojë së bashku me dialektet, gjithmonë do të ekzistojë një lidhje bashkëveprimi midis tyre.”[4]
Fushat konceptore të identifikuara përmes frazeologjisë që lidhen me mjedisin çam në poezinë çame
“Gjuha dhe sjellja gjuhësore janë faktorë të fortë të shprehjes së identifikimit dhe të kohezionit të një grupi shoqëror qoftë brenda, qoftë jashtë.[5] Në vjeljen që i kemi bërë frazeologjisë popullore në poezitë çame, si shprehje e identifikimit shoqëror, si një grup me tipare të dallueshme brenda shqipes, pavarësisht ndryshimeve e dallimeve leksikore, tregon marrdhëniet gjuhësore dhe të përbashkëtat mendësore në përfshirjen e faktorit popull, në bashkëjetesën dhe mardhënien shoqërore të vetë grupeve shoqërore apo dialekteve të një gjuhe.
Mjedisi çam lidhet drejtpërsëdrejti me vendet ku çamët kanë banuar si Janinë, Paramithi, Filat, Kastri etj. Dhe dhimbja e dashuria për këto vende të begata, nuk shuhet kurrë. Ata kanë mall për to dhe prandaj kënga e poezia është e lidhur hershëm me këto troje aq të dëshiruara për ta. Në vargjet e mëposhtme, vëmë re frazeologji të tilla si:
ulu mal (shprehje e papërkulshmërisë),“Ulu mal të shoh Kastrinë, /Të shoh bellat ku rrinë”;[6] shpesh frazeologjia popullore vjen edhe me modele disi të ndryshme në formulim, por me kuptimin e njëjtë si: “ç’më panë sytë”, “O, ç’pe me sytë e tu, moj Paramithi!; ose “deti u thinj” (njerëzit thinjen nga hallet, po deti?). Nga flakët e tmerrit dhe deti u thinj”;[7] ose “dallandyshe folmë, moj” (e lidhur kjo me dallandyshen si lajmëtare e pranverës, por që në rastin tonë asaj i kërkohet të tregojë për ndodhitë, të sjellë lajme); “të dëgjojë Perëndia” (sipas poetit çam, “Perëndia” është ajo që do të vërë drejtësinë e munguar),“Dallandyshe që vjen larg, nga Filati , nga Janina , /folmë moj, vetëm një fjalë të dëgjojë Perëndia”;[8] ose “kam çelë” (kam lindur në këto vende), “Kam çelë nën hijet e vrara/ku flasin me gjuhën e dhimbjes/aty, nën aromë të agrumeve/këndojnë ison e ndaluar, çamërisht”[9]Çamëri më dogji malli”,[10] vendet çame, Filati, Janina etj., agrumet e ullinjtë e tyre janë të famshme… këto vende jo vetëm përmenden për bukuritë natyrore por edhe begatinë e prodhimeve të tyre. /Heshti Gumenica, ullinjtë zgjoi Filati,/ Malit të Bozhurit iu rregjua shtati,/ Gjyshër – Kostandinë u zgjuan nga varre”[11]- (u zgjua nga varre – u ngrit nga varri) etj. ose kur lexon: “Nëm një vjeshtë, moj , të zgjoj dasmat çame..”[12] Poetit çam i pëlqen që çdo vjeshtë të “zgjoj” dasmat. Ai përzgjedh vjeshtën pasi është stina e bollëkut, është stina e dasmave.
Fushat konceptore të identifikuara përmes frazeologjisë që lidhen me temën patriotike në poezinë çame
Kjo fushë konceptore lidhet me mjedisin luftarak dhe përpjekjeve të vazhdueshme që në kohë të hershme të luftës për liri të çamëve kur ata u zhvendosën nga trojet e tyre me forcë, madje dhe në mënyrë barbare e shfarosëse, kur popullsia çame u detyrua të shpërngulej drejt Shqipërisë.
Bëmat, luftrat, dhimbjet e përjetuara të asaj kohe u reflektuan edhe në poezinë e shkruar dhe gojore çame. “Çamëria nëna jonë e zbardhur”(hallet, luftrat, mërgimi etj., kanë qenë pjesë e Çamërisë dhe ajo tashmë ndihet e “zbardhur”, e plakur). Në poezinë “Mëshirë e pa mëshirshme” të Fatime Kullit gjejmë vargje të tilla si: Lule-bardhat çelin nė pus tė harrimit/Ullinjtė kullojnė gjak, si klumushti i gjirit…/Oh, mëshirë e pamėshirëshme![13] ose “Varre mermeri si sythe të bardhë pikëllimi”. [14]Metaforat, antiteza dhe krahasimi i mundësuar nga lidheza “si”, i japin vargut dramaticitet dhe vetë poetja kërkon rrugëdalje… vëme re edhe një dukuri tipike fonetike të të folmes së Çamërisë ku spikat karakteristika e ruajtjes së bashkëtingelloreve gl/kl, ku gjejmë fjalë të tilla si: klumusht –qumësht, glisht – gisht, glembi – gjembi, gluhe – gjuhe, klice – kyce, i shklier – i shqyer, i shkalre – i shkare, klishe – kishe, i glate – i gjate, kloftë-qoftë, ose shprehje te tjera si: çish ke? – çfarë ke ?, çish je? – qysh je/si je, të pastë nana – të ka nëna etj. Mund të themi se prej kohësh kjo formë është asimiluar, ndërsa dialektin çam e ruan sot e kësaj dite të konservuar në mënyrën më të mirë, sidomos nga brezi i më të moshuarve dhe ai i mesëm disi.
Fushat konceptore të identifikuara përmes frazeologjisë që lidhen me ngjyrime semantike dhe emocionuese si dhe me problemet shoqërore në poezinë çame
Kjo fushë konceptore lidhet ngushtë me botën shpirterore të poetit çam, shprehja e ndjenjave, mendimeve sjell ndër vargjet çame atë botë të pasur shpirtërore dhe shpalos intelektualizmin e poetit, ku poezia mbart mesazhe shumë domethënëse.
Ishte bërë vetë ylberi/ah, ishin pika shiu/ngjyra ylberi,/apo më flet me lotët e tu?[15] (flet me lotë – tregon dëshpërim); “ vdekja me nallane” (vdekjo po troket, është pranë…).
Kultura dhe e folmja Çame… nëpër këngë, poezi e nëpër valle, në kostume e nëpër përralla…si një botë e madhe ngjall emocion, të magjeps zemrat; të gjitha këto bashkëjetojnë në harmoni e vënë në lëvizje të menduarin, të zbulojnë konotacionin që ti kërkon: “Dallëndyshe bukuroshe..a mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie, me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie” , “Çamëria nëna jonë e zbardhur”. Fraza të tilla kuptimplote, ku brëndashkruhet një emocion apo një ngjyrim semantik, vijnë nëpër këngë e poezi si me një lloj kodi të brendshëm. Dëshirat, të lidhura me shpend si dallandyshja, sjellin lajm nga larg dhe “me gluhë perëndie” duke nënkuptuar me “gjuhën e së vërtetës”…”milëra fjalë” ( shumë lajme) ku spikat e folmja çame. Vemë re zëvendësimin e bashkëtingellores ‘j’ me ‘l’, si një dukuri fonetike tek çamërishtja. Pjeseza “eni” si një tipar i të folmes çame, e përdorur për të tërhequr vëmëndje, ndeshet shpesh edhe në poezi, madje e bën interesante dhe si më të ledhatuar vargun. “Eni vjen prej Çamërie, të pastë nana?!”, Ai ia shton urët zjarrit,/ndërsa ti rëmin shkëndijat.”,(“i shton urët zjarrit – i fryn zjarrit”); (rëmin shkëndijat – ngacmon zjarrin, luan me zjarrin).
“ Në bedena malli Çamëria rron/ E nuk dua, jo, të më vijnë dhiolitë/ Se kam zilet, dhentë, se kam zërin tim./ Se kam Osman Takën që më mban në zemër/ Se kam fyell’n e Tanës që më fton në ëmër./Motra të një nëne, thinjur para kohe/ Që s’i mblodhën dot pikëlat e lotëve. [16] etj. “…Për ditë grindem me perënditë,/kafshoja veten,/thithja gjak gjarpri./Atdheun e mora me vete,/herë në tokë e herë në qiell…”[17] mes dilemash dhe problemesh që autori përshkruan gjejmë të tilla njësish frazeologjike të spikatura e të shprehura në një farë mënyre, të tillë dhe domethënëse, madje edhe veprimet e botës së kafshëve duket se u vishen njerëzve si tipare të huazuara prej tyre.
Them kështu, se kafsha kafshon dhe tek “kafshoja veten” – (haja veten),e gjithë kjo si një mospajtim me ç’ka i ndodh, me ç’ka përjeton…thithja gjak gjarpëri (helmohesha), nënkupton vështirësi të mëdha etj., dhe poezia çame vazhdon: “Kam çelë nën hijet e vrara/ku flasin me gjuhën e dhimbjes/aty, nën aromë të agrumeve këndojnë ison e ndaluar, çamërisht./Në k’të stinë me sy të thinjur/numëroj petalet e trëndafilave/që zvarriten pa frymë hijeve…/me peshën e padrejtësisë mbi shpinë.[18] (me mban në zemër – më do shumë; thinjur para kohe – e thinjën hallet; s’i mbledh dot pikëlat e lotit – e kam leshuar veten, s’pushoj dot së qarri; u zgjua nga varre – u ngrit nga varri). Marr shkas nga disa fjalë që vijnë me të folmen çame në dialekt dhe të veçanta si: pikëla – pika, u rregjua – u rregj, bedena – pjesa e sipërme e kalasë, dhiolitë – violinat etj.
Fushat konceptore të identifikuara përmes frazeologjisë që lidhen me dashurinë dhe figurën e vashëzës çame në poezinë çame
Bukuria e vashëzës çame është bashkëudhëtare në vargjet e poezisë çame. Ndjenja e dashurisë, si një ndjenjë e bukur dhe e dëshiruar, shprehet ëmbël dhe e shoqëron e fiton vlera konotative, shenjuese dhe stilistikore duke ia shtuar vlerën jo vetëm bukurisë së vargut, po me semantikën dhe leksikun e përdorur, sjell emocione dhe nuanca të kulturës çame me aromë e ngjyrime të tilla si: “Nëm një vjeshtë, moj,/të zgjoj dasmat çame /Ku bredhin mandilet,/vajzat kapedane”[19]sipas edhe studiuesve të tjerë, përmend këtu E. Cabej[20], si edhe në shqipe, çamërishtja ka huazimet e saj në lidhje me gjuhët me të cilat ajo kishte kontakte dhe marrdhënie fqinjësie si p.sh. përdorimi i fjalëve mandile – shami; karfos – mbërthej; dhaskal – mësues; dhiplo – dopjo; feks – ndrit; gremis – rrëzohem etj. nga greqishtja, siç mund të gjejmë edhe nga turqishtja duvak – vello; nur – hir etj.
Spikati gjithashtu kompozita si “moj vetullgremisur”(vetulla rëzuar, e mërzitur).“Më ke zogëlarë me shkronjë”(më ke zogëzë të virgjër, si të pikturuar), ”Imëzot ç’më ike nga sit” (I dashur, më ike, më harrove), “Çish ke vajz’ mëmëza ime/Çish ke vajz’ çu mareshe” (Çke vajzë që u gënjeve, u dashurove marrëzisht), “Pse më shet o nanë/për një palë me xhufka? (për një pajë me të bukur)”. “Bellë, në besofsh perëndin,/Ule nja di glisht shamin,/Se marrove djalërinë”[21]( marrove – e morre në qafë djalërinë, e marrose djalërinë), ose “ Drenushja mbi trëndelinë,/Gërsheti loste me gjinë,/Kur e mundi siri sinë,/Ndaluam e morëm frimë.”[22](loste me gjinë – dashurohej; mundi siri sinë – e zuri gjumi; morëm frimë – u lehtesuam); verejmë edhe dukuri fonetike qe me mjetet e shqipes ajo zevendesohet me “y” si p.sh. siri – syri; sinë – syne; frimë – frymë di – dy.
“…rash në dashuri (dashurohesh)/me një grua çame,/me çitjane./Dëgjo trimi im i ri,/Sot që do më hedhëç dhri(me vë kurorë)/Më ke zogë në kuvli..”.[23] të bie në sy lidhja me traditën dhe kostumin tradicional të vashëzës çame (me çitjane; do më hedhëç dhri).
Në vargjet: “Ku feks nuri i nuses në Shesh të Xhamisë, /Këmba e saj e bukur kur merr drejt shtëpisë. …./Herë më shfaqesh nuse me duvak të blertë /Herë nënë e dhembshur që këndon në djep, /Herë gjysh e gjyshe, pa bastun në duar, /Kur më rrëfen ëmbël kohën e kaluar” “Diellin do ta marr, moj, për ty në duar/do ta fus në gjoks./Të më ngrohë shpirtin kur të thotë: /“Kam ftohtë!”- gjejmë frazeologji me kuptime semantikore, që lidhen me shprehjen e dashurisë mes dy të sapomartuarve, ku spikat metafora dhe kuptimi i frazës merr të tjera përmasa duke i dhënë poezisë vlera shenjuese frazeologjike të motivuara figurativisht.
Duke përfunduar këtë parashtrim mbi disa veçori artistike të frazeologjisë në poezinë çame, do të theksojmë edhe njëherë pasurinë e madhe gjuhësore që spikat në të folmen çame, si një burim frymëzimi për poetët dhe poezitë e tyre ku ata derdhin shpirtin, dhimbjen, dashurinë, mallin dhe dëshirat e tyre për të ruajtur që hershëm gjuhën, zakonet, traditën, kulturën çame.
Njësitë frazeologjike të përdorura dëndurisht në këto poezi, sjellin vlera stilistikore dhe emocionuese, ku nëpërmjet tyre, poeti e bën komunikimin dhe sjelljen e mesazhit më lehtësisht, gjë që e mundëson metafora dhe figurat e tjera stilistikore të brëndashkruara semantikisht kuptimit e domethënies, dhe i japin vargut poetik konotacionin e duhur.
Autor: Arqile Vasil Gjata
Literatura e konsultuar
Aristidh P. Kola, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Shtëpia Botuese-55, Tiranë 2002.
Agim Desku, “Dua të pi verë Çamërie”, Shtëpia Botuese, Vllamasi, Tiranë, 2011.
Buletin i Institutit të Studimeve për Çamërinë, Nr.1 Shkurt 2013, http://www.cameriainstitute.org
Eqerem Çabej, Studime Gjuhesore, Rilindja, Prishtine, 1976.
Dhimitër L. Gjoka, “Motive arbërore”, Gusht 2007.
Dhionis Qirinzidhi, “Paqyrat e Afërditës”, Shtëpia Botuese Globus R. Tiranë, 2008.
Namik Selmani “ Zemrat e zemrave të mira”, 2000.
Valter Memisha, Studime për fjalën shqipe, 2, Tiranë, 2016.
Valter Memishaj, “Studime për fjalën shqipe”, Tiranë, 2011.
Valter Memisha, Rreth shndërrimit të togfjalëshit të lirë në njësi frazeologjike në gjuhën shqipe, SF, 3-4, 2006.
Xhemil Lato, “Fatthyerit në pritje”, novelë, Arbëria, Tiranë, 2010.
Xhemil Lato, “Kufitarja e ushtarit gjumënjëtrazuar”, shtëpia botuese “Imeraj”, Fier, 2015.
Xhemil Lato, Ullinjve qan një vejushë, Sh.Botuese Neraida, Tiranë, 2005.
Fatime Kulli, https://atunispoetry.com/…/vdekja-e-trendafilit-ne-ceremoni-pikelli…
Gjovalin Shkurtaj, Sociolinguistika shqiptare. 2003.
Gjovalin Shkurtaj, Kundrime Gjuhesore, Tirane, 2006.
EdliraTroplini, doktoratura “E folmja e camerise dje dhe sot”, http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2012/12/Edlira-doktoraure-varianti-perfundimtar.pdf
Zenun Gjocaj, Struktura leksiko-semantike e stilistike e frazeologjisë shqipe, Prishtinë, 2001.
Xhevat Lloshi, Shënimet stilistike në fjalorët e shqipes në “Leksikografia shqipe – trashëgimi dhe perspektivë, Tiranë, 2005.
[1] Kumtes studimore ligjëruar në Universitetin “Eqerem Çabej” Gjirokastër, vendos vitin e kumtimit.[2]Gj. Shkurtaj, Kundrime Gjuhesore, Tirane, 2006.[3] E. Troplini, doktoratura “E folmja e Çamerise dje dhe sot”, http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2012/12/Edlira-doktoraure-varianti-perfundimtar.pdf%5B4%5D E. Troplini, doktoratura “E folmja e çamerise dje dhe sot”, http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2012/12/Edlira-doktoraure-varianti-perfundimtar.pdf%5B5%5D Gj. Shkurtaj, Sociolinguistika shqiptare. 2003.[6] Xhemil Lato, “Fatthyerit në pritje”, novelë, Arbëria, Tiranë, f. 50 2010.[7] Marrë nga “ Zërat e brigjeve të mia, Shtëpia Botuese Lirsan Ekspres, Berat, fq, 30 , 2003.[8] Marrë nga “ Zërat e brigjeve të mia, Shtëpia Botues Lirsan Ekspres, Berat fq, 30 , 2003.[9] Fatime Kulli, https://atunispoetry.com/…/vdekja-e-trendafilit-ne-ceremoni-pikelli…%5B10%5D Rustem Geci http://www.rajonipress.com/shfleto-artikujt.php?id=28757%5B11%5D Xhemil Lato, Poezi të zgjedhura, “Ullinjve qan një vejushë”, Shtëpia Botuese, Neraida, fq, 111, Tirane 2005.[12] Nga Poema “Zëri i vendlindjes”,Namik Selmani, libri “Zemra e zemrave të mira”, Shtëpia Botuese Lirsan Ekspres, berat, 2003, f,30.[13] Fatime Kulli, https://atunispoetry.com/…/vdekja-e-trendafilit-ne-ceremoni-pikelli…%5B14%5D Xh.Lato, Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar, novelë,Fier shtëpia Imeraj,f, 30-31.[15] Xhemil Lato Marr nga poezia “Shkova një natë nëpër varre”, “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar”, Shtëpia Botuese “Imeraj”, Fier, fq. 32, 2015.[16] Xhemil Lato, Poezi të zgjedhura, “Ullinjve qan një vejushë”, Shtëpia Botuese, Neraida, fq, 111, Tirane 2005.[17] Agim Desku, “Dua të pi verë Çamërie”, Shtëpia Botuese, Vllamasi, Tiranë, 2011.[18] Poezia “Vdekja e trëndafilit” nga -Fatime Kulli, https://atunispoetry.com/…/vdekja-e-trendafilit-ne-ceremoni-pikelli…%5B19%5DNamik Selmani Nga Poema “Zëri i vendlindjes”, f,30 nga libri, “ Zemrat e zemrave të mira”, fq. 30, 2000.[20] E. Çabej, Studime Gjuhesore, fq. 98, Rilindja, Prishtine, 1976.[21] Xhemil Lato, “Fatthyerit në pritje”, novelë, Arbëria, Tiranë, fq. 13, 2010.[22] Xhemil Lato, “Kufitarja e ushtarit gjumëtrazuar”, shtëpia botuese “Imeraj”, Fier, fq. 25, 2015.[23] Xhemil Lato, Ullinjve qan një vejushë, Sh.Botuese Neraida, Tiranë, fq. 11, 2005.