“Nuk është e lehtë të marrësh vendim që ta përfundosh një libër. Dilema për ta kthyer një dorëshkrim në botim është e madhe, si për çdo krijues. Të ishte për mua unë do të vazhdoja të kërkoja e punoja për shprehje të tjera, ndërsa poeti Pajtim Xhelo e zgjidhi dilemën. “Le të botojmë vëllimin e parë, kjo punë nuk mbaron kurrë – më tha.” Dhe vërtet, gjuha është det. “Gjuha është shpikja më e jashtëzakonshme e njerëzimit, – tha në fjalën e tij Le Cleziò kur iu akordua çmimi Nobel, – ajo e cila paraprin gjithçka, që futet në gjithçka. Pa gjuhë nuk ka shkencë, s’ka teknikë, s’ka ligje, s’ka art, s’ka dashuri. Po kjo shpikje, pa prurjen e bashkëbiseduesve bëhet virtuale. Ajo mund të zbehet, të pakësohet, të zhduket.” Në këtë kuptim ndër elementët që e bëjnë një gjuhë të pasur, shprehëse, aktive, të aftë që të mbijetojë gjatë e të përtërihet janë sigurisht Shprehjet frazeologjike, janë sinteza të një përvoje të pasur jetësore të një populli që ka kalëruar në histori, jo vetëm me problemet e ekzistencës së tij, por edhe në lidhjet e shkëmbimet me popuj të tjerë. Ideja për këtë libër lindi te unë shumë herët, po mbledhja e hulumtimi për të nuk më pengonte planet e tjera krijuese. Dy – tre vjet përpara iu bashkua kësaj pune edhe Pajtimi, i cili punoi me pasion duke shtuar shprehje rrëfenjëza të tjera mjaft interesante. Dhe libri është gati për t’u shpërndarë, një dhuratë e bukur në këtë fund viti e si urim që viti 2023 të na vijë sa më i mbarë për gjithë shqipfolësit kudo që janë.Për faqosjen dhe paraqitjen e librit na ndihmoi Gridi (djali im i madh), Karola në p.c e financimin e botimit na i dhuruan Arditi (djali im i vogël) dhe Nereida (vajza e Pajtimit), të cilëve iu jemi mirënjohës e i falenderojmë me gjithë zemër.Ja një paraqitje e shkurtër që do ta gjeni në kopertinën e pasme të librit:Në këtë libër janë përmbledhur 346 njësi ose shprehje frazeologjike, të shoqëruara me rrëfenjëza nëpërmjet të cilave autorët duke gërmuar në mençurinë popullore përpiqen të shpjegojnë origjinën apo historinë e lindjes së këtyre shprehjeve frazeologjike. U zgjodh kjo mënyrë origjinale e paraqitjes së shprehjeve frazeologjike nga të gjithë trevat e Shqipërisë me histori të shkurtra e të thjeshta për të rritur mundësinë e të fiksuarit të tyre në kujtesën e lexuesit. Herë-herë përmenden emrat e disa njerëzve të shquar të Kombit në ndodhi të ndryshme. Po kështu përmenden qytete e krahina të lashta të trevave ku flitet shqip, disa prej të cilave sot janë territore të Serbisë, Bosnjës, Malit të Zi, Greqisë etj.Ky libër iu vjen në ndihmë jo vetëm atyre që studiojnë gjuhën shqipe por gjithë lexuesve që interesohen për historinë, koloritin e pasurinë e saj. Iu shërben edhe shqiptarëve që jetojnë në Diasporë, ku gjuha shqipe humbet rolin e parë në komunikim. Janë shprehjet frazeologjike që pasurojnë të folurin, rrjedhimisht edhe mendimi.”
-Iskra Thoma, lidhur me librin e saj më të ri “Shprehje frazeologjike sjellë përmes rrëfenjave”
Për të lexuar postimin origjinal kliko këtu.