Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ju fton në programin e parë të ciklit “Thesaret e Arkivit të Filmit” me projeksionin e filmit SMILES OF A SUMMER NIGHT aka “Buzëqeshjet e natës verore” të regjisorit suedez Ingmar Bergman (1955). Filmi i vlerësuar nga kritikja amerikane, Pauline Kael, si “një punë gati e përsosur” prezantohet të mërkurën, më 5 dhjetor, në ora 19:00 (7pm) në Kinemanë Agimi.
Gjatë epokës së Kinostudios, filmat e kineastit të madh Ingmar Bergman nuk u lejuan të shfaqen. Nuk jemi të sigurt se si saktësisht, por një kopje në 35mm e BUZËQESHJET E NATËS VERORE mbërriti në Shqipëri, u vendos në një raft të AQSHF-së, dhe priti për dekada të tëra… Gjashtëdhjetë vjet më vonë, kjo kopje pothuajse prestine e filmit që shndërroi regjisorin Ingmar Bergman në një superstar ndërkombëtar, do të shfaqet në Tiranë, në festim të 100 vjetorit të lindjes së kineastit të madh.
Ejani & shihni një komedi erotike per dy çifte që ndërrojnë partnerët gjatë një nate të ngrohtë vere në fillimshekullin e njëzetë, dhe lehtësisht do kuptoni pse ky film magjik nuk mund të shfaqej. “Thesaret e Arkivit të Filmit” është një program i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.
Hidhni një sy trajlerit të përgatitur nga Austin Film Society.