Puna e 30 nxënësve të katër shkollave fillore në Kosovë erdhi sot në ekspozitën “Të rinjtë për Trashëgiminë”, e cila u hap në Qendrën Kulturore Informative të BE-së (EUICC)
Rreth tridhjetë nxënës ishin mbledhur sot në këtë ekspozitë duke ngritur gishtat drejt punimeve të tyre. Krejt kjo ekspozitë është rezultat i punëtorisë dy ditore të fotografisë, me trajner fotografin Arben Llapashticën e që ishte organizuar në Novobërdë dhe Graçanicë më 16 dhe 17 dhjetor të vitit 2017.
Gjatë aftësimit në aspektin e marrjes së fotografisë, nxënësit e komuniteteve të ndryshme veçse ndajnë tashmë një përvojë të përbashkët lidhur me fotografinë. Veç kësaj ata kanë vizituar edhe dy lokalitete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë: Kalanë e Novobërdës dhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, prej nga edhe kanë nxjerrë fotografitë e tyre. Shkollat fillore pjesëmarrëse në këtë aktivitet ishin: “Ditët e Minatorit” në Kishnicë, “Kralj Milutin” në Graçanicë, “Dositej Obradovic” në Prekovc dhe “Minatori” në Novobërdë.
Ky projekt është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë si pjesë e programit “Promovimi i integrimit social dhe pajtimit në Kosovë” dhe është implementuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM në bashkëpunim me Institutin Columbus në Prishtinë.