Art & Kulturë

“Streha mes reve”, premierë në kinematë e Tiranës

“Streha mes reve” është filmi më i fundit i regjisorit Robert Budina, që nga data 14 dhjetor vjen premierë për publikun në kinematë e Tiranës.

Me skenar dhe regji nga Robert Budina mesazhi kryesor që mbart “Streha mes reve”, është besimi në Zot, në vete, dhe tek të tjerë. Mbrëmjen e datës 13 dhjetor filmi shfaqet për një publik të ftuar në kinema Millennium, dhe producentja Sabina Kodra bën me dije se do të jetë i pranishëm dhe aktori i njohur Arben Bajraktaraj, që ka rolin kryesor.

“Streha mes reve” bazohet në një histori të vërtetë, ku kritika botërore e mirëpriti filmin shqiptar. Në këtë film ka një kast të përzgjedhur aktorësh, Arben Bajraktaraj (i njohur për “Taken”, “Harry Potter” dhe “Deathly Hallows”) vjen në rolin kryesor, atë të Besnikut, për të vijuar dhe me Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku, Osman Ahmeti, etj.

“Pikat më të forta të “Strehës mes reve” vijnë nga dinamika e skenave familjare, si dhe nga enigma e performancës së Arben Bajraktaraj midis një dijetari të urtë dhe budallait të fshatit. Ai duket më shumë një njeri i humbur që shprehet si në regjistrat e lartë ashtu edhe të ulët. Ai ndihet i brishtë, i qetë kur është me dhitë dhe i tensionuar kur njerëzit vijnë për të ndarë shtëpinë. Jo dhe aq realizëm magjik, se sa një betejë individuale, gjysmë e fituar humaniste e Besnikut kundër interesave realiste të të tjerëve”, vijon shkrimi.

Filmi do të shfaqet për publikun nga 14 dhjetori në kinema Millennium, kinema Imperial si dhe në kinema Cineplexx.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).