“Stinët në peizazh” titullohet ekspozita e piktorit Sadik Kasa e çelur në galerinë “Art Saranda”, në qytetin bregdetar.
Në këtë ekspozitë piktori Kasa ka paraqitur 68 punime të realizuara në teknikën e vajit, në gjininë e peizazhit dhe natyrave të qeta.
Sadik Kasa është diplomuar në vitin 1977 piktor-skenograf. Nga viti 1995-2005 ka punuar mësues pikture në shkollën e mesme artistike “Onufri” në Elbasan. Në vitin 1991-1993 hap ekspozita personale në shumë qytete të Greqisë, ndërsa në vitin 1993 hap ekspozitë personale në Holandë. Në vitin 1995 hap ekspozitë personale në Tiranë me motive nga Greqia dhe Holanda. Në vitin 1997 hap ekspozitë personale në Mestre, Venecia. Në vitin 2000 fiton çmimin e parë në ekspozitën Millenium në qytetin e Elbasanit.
Në vitin 2011-të Kasa fiton çmimin e dytë në Konkursin Kombëtar Bashkëjetesa Fetare, e organizuar nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri. Në vitin 2005-2016 është pjesëmarrës në shumë galeri brenda dhe jashtë vendit. Artisti Sadik Kasa ka realizuar mbi 1500 krijime të ekspozuara në galerinë e qytetit të Elbasanit, në Universitet, në Bashki, Qendra arti, koleksione private në shumë vende të botës.