Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nis sezonin artistik me një vepër elitare. TOB bën me dije se shfaqja “Stabat Mater” nga Antonin Dvorak do të jetë në skene “arTurbinës” dhe është një nga veprat më të famshme të tij dhe me shpirtëroret.
E ftuar speciale në veprën e Dvorak është dirigjentja Arlinda Majollari, që bëhet bashkë me trupën e korit të TOB, dirigjenti Dritan Lumshi dhe pianistja Etrita Ibrahimi, solistët Vikena Kamenica, Denis Skura, Marina Kurti dhe Xhieldo Hyseni, për një shfaqje tepër të ndjerë. TOB bën me dije se ky sezon artistik do të mbahet mend gjatë për ritmin e ngjeshur të shfaqjeve dhe për larminë e zhanreve, që do të sjellë. “Koncerti i parë “Stabat Mater” nga A. Dvorak, i dedikohet publikut tonë besnik, i cili përgjatë gjithë sezoneve tona artistike, ka mbushur sallat ku kemi dhënë shfaqje, ka dhuruar duartrokitje të zjarrta duke rritur në maksimum emocionet tona”, shprehet TOB për shfaqjen e datës 13 shtator.
TOB bën me dije se celebrimi i nisjes së kalendarit artistik shtator – dhjetor 2018 nis në skenën e madhe të “arTurbina”, por për dirigjentin e korit Dritan Lumshi është kënaqësi e veçantë që sezoni fillon me një vepër vokalo -simfonike, ku protagonist është kori i TOB. “E rëndësishmja e këtij produksioni është bashkëpunimi për herë të parë me dirigjenten Arlinda Majollari, e cila vjen në Teatrin e Operës mbas një përvoje gati 25 vjeçare në Francë, me kore dhe këngëtarë lirikë, si në Operën Nacionale të Parisit, po ashtu edhe në Radio France. Eksperienca e saj e gjatë të gjatë si vocal coach, e çoi drejt specializimit për dirizhim koral në Gjenevë. I gjithë bagazhi i saj profesional është vënë në dispozicion të korit dhe solistëve të TOB”, shprehet dirigjenti Lumshi.