Art & Kulturë

Sot, 26 vite nga vdekja e Petro Markos

Shkrimtari i njohur shqiptar lindi më 25 nëntor 1913 në Dhërmi dhe vdiq në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur pa mbajtur një ceremoni në nder të tij.

Gjatë viteve të jetës së tij ai u njof nga publiku shqiptar si një shkrimtar i zoti, por Marko ishte edhe arsimtar, publicist, gazetar dhe interbrigadist.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare, Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të paluhatur para çdo stuhie. Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë, ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie.

Pasi kreu filloren në fshatin e Lemjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë, të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin. Ai pati rastin që në këtë shkollë të njihej me disa mësues italianë, ku njëri prej tyre i prezantoi autorit “Manifestin” e Marksit.

Ai u detyrua të emigronte në Greqi, si pasojë e një akuze të pavërtetë se teksa ishte mësues në Dhërmi, u jepte nxënësve literaturë komuniste. Marko do të rikthehet në Shqipëri pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi Beut, në verën e vitit 1935. Branko Merxhanie dhe Ismet Toto e thërrasin autorin me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”), si organ i qeverisë. Megjithatë, gazeta mbyllet pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës; që Ethem Toto, asokohe ministër i brendshëm, e cilësoi si reaksionar e komunist.

Petro Marko me familjen e tij

Ai filloi që të shkruante poezi dhe proza të shkurtra që kur ishte në shkollën e Vlorës. Gjatë kohës kur ishte në Itali, ai shkroi veprat: “Një natë e dy agime”, poemat “Nase labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim” dhe “Bija e kapitenit”.

Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës, do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”. Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60, është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar.

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.

Në vitin 2000, e shoqja Safo me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë t’a botonte.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).