Art & Kulturë

Situata në monumentet e kulturës pas tërmetit, Margariti: Gjendja nën kontroll

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti duke raportuar mbi situatën e monumenteve të kulturës të prekura nga tërmeti ka deklaruar se gjendja aktualisht është nën kontroll.

Në një deklaratë për shtyp Margariti tha se së shpejti do të nisë edhe hartimi i projekteve për objektet e prekura.

Situata në monumentet e kulturës pas tërmetit:

Teqja e Dollmës

Është konstatuar dhe një shkëputje fragmenti të vogël të afreskut.

Manastiri i Ardenicës

Nga konstatimet është vërejtur se në murin rrethues ka patur cedim dhe janë larguar përforcimet që i janë bërë për të mbajtur murin rrethues. Situata do të monitorohet dhe ditën e nesërme.

Godina Ministria e Kulturës

Janë konstatuar përveç plasaritjeve në ambientet e brendshme, dhe disa plasaritje në fasadë, në zonën e fugave sizmike.

Muzeu Historik Kombëtar

Gjatë inspektimit janë vërejtur plasaritje të natyrës sipërfaqësore në ambientet e brendshme në të gjitha katet deri në tarracë. Plasaritjet kryesisht janë të dukshme në pikat e fugave sizmike. Në përgjithësi struktura ka reaguar mirë ndaj lëkundjeve sizmike. Në ambientet e zyrave u konstatua se ka plasaritje të mureve dhe rënie suvaje në hyrjen e administratës si dhe janë rrëzuar mobilie në disa prej zyrave. Gjithashtu janë konstatuar lëvizje të disa objekteve muzeore, ku janë marrë masa për zhvendosjen e tyre.

Problematikë mbetet shkëputja e pllakave në fasadë, e cila kërkon heqjen e pllakave të shkëputura dhe vendndodhjen e perimetrit të sigurisë në të gjithë godinën. Gjatë vijimit të lëkundjeve nuk kemi shtim të dëmeve të tjera.

Galeria Kombëtare e Arteve

Në objekt paraqiten plasaritje të nivelit të suvasë në të gjithë strukturën. Pjesa e podrumit ishte me pak problematike. Pjesa e kafazit të ashensorit ka shkëputje nga struktura dhe është e dukshme si hapje vertikale në të gjithë fasadën në anën juglindore. Njëkohësisht duhet të vendoset perimetër sigurie për këmbësorët në pjesën jugore dhe perëndimore pasi rrezikohet shkëputja e teserave dhe suvasë në këto zona.

Bibliteka Kombëtare

Nga lëkundjet sizmike të orës 24:00 janë konstatuar disa plasaritje të tjera në aneks. Ndërsa në ndërtesën qendrore nuk ka zhvillime të reja. Biblioteka ditën e sotme është e mbyllur, por që është në kushtet ku mund të presë lexuesit ditë e hënë.

Univeristeti i Arteve

Nga raportimet në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Arsimit, rezultojnë dëmtime në 3 godina. Në Fakultetin e Muzikës rrezik paraqet Salla e Atelies Skenike dhe pasi muri është shkëputur nga konstruksioni dhe paraqet rrezik shkëputje nga ana e rrugës. Në godinën e Administratës së Vjetër paraqiten disa çarje kryesisht në pjesën ku bashkohet ndërtesa e skenës me shtesën, e cila është ndërtuar në vitin 1970. Pjesa e bashkimit paraqet problematika. Në Fakultetin e Arteve të Bukura nuk rezultojnë dëmtime konstruktive, por vetëm plasaritje sipërfaqësore të suvasë dhe në disa pika plasaritje më të thella të mureve ndarëse. Në Fakultetin e Artit Skenik nuk rezultojnë dëmtime konstruktive, por vetëm disa plasaritje në muret ndarëse.

Fakulteti Gjeologji Minierave

Nga inspektimet ka rënë parapeti në rreth 2/3 të pjesës ballore, duke shkaktuar dhe prishjen e parapetin e shkallëve hyrëse. Vlerësohet se objekti është në situatën e rrezikut pasi rezulton një pjesë e dëmtuar, e cila ska rënë akoma. Në katin përdhe ka plasaritje më të thella dhe një mur ka dëmtim më serioz, ndërsa kati i parë dhe i dytë e dytë kane plasaritje më sipërfaqësore. Një sallë me tavan të varur ka rënie të elementëve. Në çati është e pamundur aksesi për verifikime.

Xhamia e Et’hem Beut

Nuk janë konstatuar problem serioze, por vetëm plasaritje në fasadën e jashtme. Janë evidentuar plasaritje në katër trombet kryesisht në dy trombet e faqes perëndimore, por që janë plasaritje të vjetra. Kemi rënie të stukos së piktorëve, por duke qenë kantier mund të ribëhen. Gjendja nuk paraqet rrezikshmëri pasi ska dëmtime në strukturë. Në procesin e hapjes së çatisë do të bëhen qepje dhe injektime.

Biblioteka e Universitetit dhe Muzeu Arkeologjik (Kolonat)

Pas inspektimit në terren raportohet se situata nuk paraqet probleme serioze në aspektin strukturor. Janë evidentuar vetëm plasaritje të suvatimit kryesisht ku janë bërë mbylljet ndër vite të dyerve dhe dritareve. Në Muzeun Arkeologjik në vitrina janë konstatuar lëvizje të objekteve të ekspozuara.

Godina e seancave plenare (Parlamenti)

Nuk është evidentuar asnjë lloj çarje apo plasaritje në ambientet e brendshme dhe as në fasadë. Ka vetëm rënie të disa paneleve të gipsit me ndriçim në sallën e madhe të seancave plenare.

Cirku Kombëtar

Dhe nga inspektimet e ditës së sotme nuk kanë rezultuar dëmtime dhe cirku sot do të zhvillojë shfaqe, ku i gjithë stafi do të jetë i angazhuar për raste emergjente.

Pallatet në zonën e Piazzës

Në fasada nuk paraqiten dëmtime të strukturës. Elementët dekorative prej pllakash betoni paraqesin amortizim dhe deformime si efekt i kohës. Një pjese e suvatimit të brezave në fasadë paraqiten të amortizuara por edhe këto si efekt i kohës.

Zyrat e Kolegjit të Posacem të Apelit dhe Komisionerit Publik

Janë vënë re vetëm plasaritje të patinës dhe bojatisjes. Ambienti është me tavan të varur dhe nuk është i mundur verifikimi nëse ka çarje në tavan.

Kuvendi i Shqipërisë

Nga vëzhgimi paraprak nuk u vunë re probleme konstruktive që mund të paraqesin rrezikshmëri. Janë konstatuar disa plasaritje me trashësi 2-3 mm në zyra të bojatisjeve dhe suvasë, kryesisht në punimet që janë kryer së fundmi. Rënie e suvasë dhe çarje nga ana e fasadës perëndimore, në oborrin e brendshëm, hyrja kryesore për në Kryesinë e Kuvendit.

Akademia e Shkencave

Në fasadë nuk evidentohen çarje apo rënie suvaje. në ambientet e brendshme brendësi ka plasaritje në suva, shumica janë të vjetra, por vihen re rënie suvaje në dysheme dhe plasaritje të reja. Kryesisht janë në bashkimin e tavanit me muret në katin e parë dhe në pjesën vertikale nëpër mure. Në dhomën e kryetarit vihet re një çarje në kolonën e djathtë dhe një mes të traut lidhës.

Nga raportimet e zonave të tjera është verifikuar situata e mëposhtme:

DRKK Shkodër

Edhe nga lëkundjet e orëve të fundit nuk rezulton asnjë dëmtim të asnjë lloj natyre. Këtu përfshihen Parku Arkeologjik Shkodër, qendra historike Shkodër, dhe të gjitha monumentet në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Dibër.

Parku Arkeologjik Apoloni

Nga konstatimet e bëra në kishën e Shën Mërisë nuk u verifikua asnjë anomali apo dëmtim të shkaktuar nga tërmeti i ndodhur me datë 22/09/2019, përveç disa krisje të hershme.

Nga kontrolli i bërë në Portiku i Statujave nuk ka asnjë dëmtim në strukturë apo në objektet e ekspozuara.

Trapezaria, nuk ka asnjë anomali, krisje apo lëvizje të dukshme.

Muzeu përveç dy plasaritjeve të lehta në anën perëndimore të sallës nr. 4 nuk ka dëmtime strukturale. Nga objektet e ekspozuara vetëm një terakotë ka lëvizur nga bazamenti i saj. Gjithashtu në anën lindore të ballkonit të katit të dyte ka një krisje të lehtë.

Duke qenë se godina është mesjetare dhe ka patur herë pas here restaurime dhe ndërhyrje, kjo ka ndikuar në qëndrueshmërinë e saj.

Parku Arkeologjik Butrint

Nuk rezultojnë dëmtime të asnjë lloj natyre as në Qytetin Antik, as në Muzeun Arkeologjik.

Parku Arkeologjik Bylis

Nuk rezultojnë dëmtime të asnjë lloj natyre.

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë Vlorë

Në këtë muze nuk rezultojnë dëmtime të asnjë lloj natyre dhe muzeu është i hapur për vizitorët.

DRKK Vlorë

Nga kontrollet e ushtruara sot në terren, në Portën me Hark në Parkun Arkeologjik Amantia, Kalanë e Porto Palermos, në Kalane e Himarës, 40-Shenjtorët, Kalanë e Lëkurësit, Bazilika Sinagoga, Kalanë e Kaninës dhe në Manastirin e Shën Kollit Mesopotam, nuk ka pasur asnjë problem. Nga Himara dhe deri në Sarande, lëkundjet kanë qenë shumë të vogla.

Dhe në Urat përgjatë lumit të Vlorës nuk janë vërejtur dëme. Ura e Gjormit-Bratajt dhe e Slapit, do të vijohet sot me kontrollet për të parë gjendjen e tyre, por nga kontaktet e marra nga banoret dhe pjesëtarë të grupit që po merren me dokumentimin e Shpellës se Lepenices, as aty nuk janë paraqitur probleme.

DRKK Berat

Nga inspektimet e ditës së sotme ura e Velabishtit, e Goricës dhe ura e Kasabashit nuk kanë patur asnjë problem. Dy xhamitë Mbret dhe Beqarëve si dhe Teqeja e Helvetive që janë nën restaurim nuk kanë patur probleme gjithashtu.

DRKK Gjirokastër

Nga inspektimet e sotme në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Antigone dhe objektet e rikonstruktuara në Zagori nuk ka rezultuar asnjë problem. Në urën e Nivanit dhe urën e Kordhocës nuk ka pasur probleme.

Muzeu Marubi

Pas kontrolleve të kryera dhe ditën e sotme nga specialistët e mirëmbajtjes së Muzeut Marubi, nuk paraqitet asnjë dëmtim i godinës apo objekteve të ekspozuara në muze. Puna normalisht në pritjen e vizitorëve.

DRKK Korçë

Pas inspektimeve të ditës së sotme në Voskopojë, Vithkuq, dhe në Qytetin e Korçës nuk rezulton asgjë serioze. Në Shën Thanas, Voskopojë janë evidentuar vetëm shkëputje të pakonsiderueshme të bordurave të afreskut. Ndërsa nga inspektimet e urave nuk rezulton asnjë dëmtim.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).