Ministria e Kulturës ka lëshuar një urdhër, në të cilin bën me dije ndryshimin e çmimit të biletave për hyrjen në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Kështu, sipas këtij vendimi, një vizitor vendas do të paguajë 500 lekë nga 350 lekë që ishte më parë dhe turistët e huaj do të paguajnë 700 lekë në vend të 500 lekë.
Ky ndryshim ka krijuar pakënaqësi tek shumë grupe njerëzish, sidomos tek grupet turistike të Sarandës.
Mbi këtë çështje ka reaguar Arben Ҫipa, kryetar i “Shoqatës së Hotelierëve, operatorëve turistikë dhe restoranteve” në Sarandë, i cili e konsideron këtë vendim të njëanshëm dhe kohën kur është bërë ky ndryshim si të gabuar.
“Ky vendim rëndon në kurriz të subjekteve turistike të Shqipërisë dhe, pa dyshim, përcillet edhe te subjektet homologe, në rastin tonë si në Korfuz apo te kroçerat, të cilat vizitojnë vendin tonë.”-, është shprehur Ҫipa në një intervistë për “Panorama”.
Sipas tij, numri i turistëve në Butrint është në rritje, ku çdo vit vijnë 40-50 mijë vizitorë më tepër, por ky rezultat nuk përkon me nisjen e investimeve në territorit e Butrintit, ku deri më tani nuk ka asnjë projekt për të rregulluar infrastrukturën dhe aktivitetin turistik në këtë zonë.