Art & Kulturë

Rrëfimet e një koleksioni albanologjik “Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek pavarësia”

Fjala e drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi në ekspozitën “Rrëfimet e një koleksioni albanologjik” nga Ylli Sula:

Borhesi në veprën e vet monumentale “Biblioteka e Babelit” rrëfen sesi universi konsiston në hapësira dhomash hegzgonale të stërmëdha të cilat përfshijnë dijet e mjaftueshme për të mbijetuar njerëzimi si dhe katër dhoma të mëdha me rafte librash. Nëse do të vazhdonim të besonim në paradigmën e rrëfimit Borhesian sigurisht që mes kësaj dijeje dhe rafteve të librave do të ketë edhe diçka në shqip. Rrëfimet e një koleksioni albanologjik. “Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia” ekspozita, që çelim sot, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut është padyshim një dhomë e tillë e mbushur plot me libra shumë të vlefshëm për mbijetesën dhe zhvillimin e kulturës shqiptare. Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Muzeut Historik Kombëtar dhe studiuesit Ylli Sula dhe mundohet të plotësosjë një boshllëk çka inistutcionet e memories kombëtare nuk e kanë por në të njëjtën kohë të hedhë dritë mbi ngjarje, data e personazhe historikë që kanë shenjuar rrugëtimin e identitetit tonë kulturor.
Rrëfimet e një koleksioni albanologjik. “Shqipëria dhe shqiptarët nga Skënderbeu tek Pavarësia” pjesë e koleksionit të studiuesit Ylli Sula përmban një koleksion unik librash, hartash dhe gravurash të vjetra të shekujve XV-XIX, që ekspozohen për publikun për herë të parë. Ekspozimi i materialit është organizuar sipas temave dhe çdo botim shoqërohet me kartelën spjeguese. Ekspozitorët me libra shoqërohen me printime ilustruese në formate të mëdha, në të cilat janë riprodhuar frontespicet e botimeve më me vlerë, pasazhet më domethënës mbi Skënderbeun, figurat e tjera të shquara, Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe, gravura, etj.

Katalogu i ekspozitës përmban përshkrimet e botimeve sipas të gjitha parametrave të katalogimit të tyre, duke i grupuar sipas natyrës (libra, harta, revista, gravura dhe fotografi, dokumenta dhe dorëshkrime), sipas temës dhe rendit kronologjik të botimit. Ky katalog do t’i vihet në dispozicion edhe Bibliotekës Kombëtare, me qëllim që specialistët e saj të verifikojnë dhe identifikojnë botimet, që nuk disponohen nga kjo e fundit. Ato do t’u vihen në dispozicion specialistëve të Bibliotekës Kombëtare për t’i dixhitalizuar, duke i përfshirë në fondin e saj dixhital.

Duke qenë se temat e kësaj ekspozite, janë edhe temat kryesore të studimeve albanologjike, si edhe duke parë që sasia dhe cilësia e titujve të koleksionuar, që lidhen me këto tema është mjaft kuptimplote apo edhe shterruese, gjatë ditëve të ekspozitës të mbahet një cikël kumtesash nga studiuesit më të njohur dhe të specializuar për temat e sipërpërmendura.
Më datën 23 tetor 2018 në orën 10.45 në Sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar do të kumtojnë personalitete të shquara të kulturës shqiptare si:
-Prof. Dr. Aurel Plasari, i cili do të mbajë kumtesën “Skënderbeu në dashurinë e një bibliofili”
-Prof. Dr. Xhavat Lloshi, i cili do të mbajë kumtesën “Visaret befasuese të një koleksioni të rrallë”.
-Skënder Bakaj, i cili do të mbajë kumtesën “Kontributi shqiptar i Papë Albanit, përfshirë kryeveprën “Illiricum Sacrum dhe Skënderbeu”.
-Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, i cili do të mbajë kumtesën “Epiri dhe Kosava në literaturën historike të shek. XV-XVII.
-Prof. Dr. Irakli Koçollari, i cili do të mbajë kumtesën “Një epokë dhe një personazh, që pruri në vëmendjen e Evropës dhe më gjerë Shqipërinë dhe shqiptarët”.
-Dr. Dorian Koçi, i cili do të mbajë kumtesën “Grand Tour”-Udhëtime dhe zonjat angleze në Shqipëri”.

Padyshim që ekspozita çelet me librin e Marin Barletit “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarvm principis”, i cili është botimi më i hershëm dhe më origjinal i historisë dhe biografisë të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky libër përbën edhe referencën kryesore mbi të cilin janë mbështetur biografët e mëvonshëm të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vijim është libri i autorit Andrea Cambini me titull: “Commentario de Andrea Cambini Fiorentino, della origine de turchi et imperio della casa ottomanna”, i cili përmban të dhëna për jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, për rrethimin e Krujës, të Shkodrës etj. Një libër mjaft impresionues është “Historia e Skënderbeut dhe e bëmave të tij”, që është shkruar nga bashkëkohësi i tij Dhimitër Frëngu. Libri ka një nëntitull sa kuptimplotë po edhe aq shterrues: “Ku tregohet mënyra e të luftuarit të vërtetë, të udhëheqësit të ushtrive, e përgatitjes së ushtarëve për luftim etj”. Libri përmban portretin e Skënderbeut të shoqëruar me mbishkrimin përkatës: “Riprodhim i pamjes autentike të Skënderbeut”.

Në vitin 1724 është botuar në Romë Letërshkrimi i plotë i Klementit XI, i cili përmban mjaft letra drejtuar peshkopëve dhe priftërinjve të trevave shqiptare, në mbështetje të punës së tyre nën zgjedhën turke. Në fillim të çdo kapitulli libri përmban gravura nga jeta e Papa Klementit XI Albanit. Gravurat janë pikturuar nga piktori i famshëm Pietro Leo Chezi.

Nuk mund të lëmë mënjanë librin e J.C.Hobhouse me titull: “A journey through Albania and other provinces of Turkey in Europe and Asia, to Costandinople during the yars 1809 and 1810”, që përmban kujtime udhëtimi të bashkëudhëtarit të Lord Bajronit, të shoqëruara me një nga kërkimet gjithpërfshirëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, historinë, gjeografinë, etnografinë, antropologjinë, gjuhën etj. Botimi përmban gravura të vendeve të vizituara, të Prevezës, të Janinës, të Tepelenës etj. Gjithashtu përmban detaje nga jeta e Ali Pashë Tepelenës si edhe faksimilen e një letre të shkruar prej tij. Në librin “Travels in Greece and Albania” të autorit Thomas Smart Hughes, jepen përshkrime udhëtimi në Shqipërinë e Jugut në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Në libër ka mjaft të dhëna për historinë, etnografinë dhe karakterin e shqiptarëve, kujtime nga takimi me Ali Pashë Tepelenën dhe sarajet e tij, suliotët dhe luftëtarët shqiptarë etj.

Libër me interes për historinë e shqiptarëve është “Il duca di Durrazo, drama il quatro atti” i autorit Camillo Benucci, që përmban dramën e Dukës së Durrësit, frymëzuar nga historia tragjike që lidhi familjen Anzhuine me atë të Topiajve. Përveç këtyre autorëve të huaj një autor shqiptar Kostandin Kristoforidhi ka përkthyer në gjuhën shqipe “Katër Ungjijtë”. Libri është botuar në vitin 1827, në Kostandinopojë. Libri është përkthyer me një alfabet me shkronja latine, pak shkronja greke dhe shkronja të tjera të përshtatura.

Auguste Dozon me librin e tij “Manuel de la langue chkipe au Albanaise”, botuar më 1879 në Paris. Libri është një “Doracak” i gjuhës shqipe përgatitur nga konsulli francez, që përmban një gramatikë të shqipes i paraprirë nga një studim për preardhjen e saj, përralla, poezi, këngë e fjalë të urta popullore të shkruara me një alfabet shqip prej 35 gërmash latine të përkthyera në frëngjisht. Me interes është një libër që përmban kujtimet e Ismail Qemalit në anglisht. Libri është botuar në londër më 1920. Gjithashtu edhe libri i Justin Godart “L’Albanien 1921”, botuar më 1922 në Paris. Libri përshkruan raportin e misionit, që deputeti francez bëri në Shqipëri në vitin 1921. Libri shoqërohet me fotografi bardhezi nga Shqipëria si edhe me një hartë të trojeve shqiptare. Në vitin 1937 kemi studimin e intelektualit françeskan At Athanas Gegaj “Historia e Skënderbeut” botuar në Paris. Libri shoqërohet me një bibliografi të botimeve të shkruara rreth kësaj teme si edhe me shumë të dhëna gjenealogjike mbi familjet e mëdha shqiptare të asaj periudhe. Botimin e Federatës Panshqiptare Vatra “Historia e Skënderbeut, Kryezotit të Arbërisë (1405-1486) të shkruar nga Fan Noli, më 1950 etj.

Ekspozita “Shqipëria dhe shqiptarët përmes botimeve të huaja”, pjesë e bibliotekës personale të Ylli Sulës përbën një aset të shtuar në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, me një dimension tjetër siç është ai i integrimit në kalendarin e këtij viti përkujtimor edhe të nismave private me përfshirje dhe impakt sa publik po aq edhe akademik.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).