Krim, aksion dhe dramë, “Death Wish” me protagonistë kryesor Bruce Wills, Vincent D’Onofrio, do t’ju mbajë të mbërthyer pas karriges së kinemasë.
Dr. Paul Kersey është një kirurg traume me përvojë, i cili gjatë gjithë jetës së tij ka shpëtuar jetë. Pas një sulmi mbi familjen e tij, Paul nis misionin për të gjetur drejtësi. Këtë film do të mund ta shikoni prej datës 3 maj në kinemanë Imperial, Cineplexx dhe Millenium.
“Stolen princess: Ruslan and Ludmila” është një film i animuar që do të vijë premierë për të gjithë fëmijët më 3 maj në kinematë Imperial, Cineplexx dhe Millenium.
Ruslan, një artist endacak i cili ëndërron të bëhet një kalorës, takon bukuroshen Mila dhe bie në dashuri me të pa e ditur se ajo është vajza e Mbretit. Mirëpo, lumturia e tyre nuk zgjat shumë, kur Chernomor, një magjistar i lig, shfaqet dhe rrëmben Milën nga Ruslani. Pa pritur gjatë, Ruslani nis një rrugëtim për të ndjekur magjistarin dhe për të shpëtuar Milën, duke i treguar të gjithëve se dashuria është më e fuqishme se magjia.
Historia në filmin “Beyond the Edge” vendoset në Moskën e ditëve të sotme, ku një kumarxhi bashkon një grup njerëzish me fuqi të mbinatyrshme për të fituar një shumë të majme në kazino. Por, gjatë kësaj sfide, ata do të përballen me një rival mistik shumë më të fortë.
“Beyond the Edge” do të vijë premierë më 3 maj në kinemanë Millenium, Imperial dhe Cineplexx, ndaj mos e humbisni.
Vogëlushët këtë javë do të kenë mundësi që të zgjedhin mes dy filmave të animuar, që dalin në kinema në të njëjtën ditë, më 3 maj, tek kinema Imperial.
“The Incredible Story of the Giant Pear” trajton jetën në qytetin Solbi, e cila është mjaft e këndshme dhe e qetë, derisa një ditë, Miçoja dhe Sebastiani gjejnë një mesazh në shishe pranë portit. Shishja vjen nga kryebashkiaku i zhdukur i Solbit, me një mesazh ku thuhet se ai ndodhet në një ishull të mistershëm dhe ka bërë një zbulim të madh.