Art & Kulturë

Poeti shqiptar vlerësohet me çmim nga Akademia Evropiane e Shkencave

Akademia Evropiane e Shkencave, Arteve dhe Letërsisë (Academie Europeenne des Sciences, des Arts et des Lettres, AESAL), ka zhvilluar këto ditë një aktivitet multidisiplinor kulturor-shkencor, ku ka shpërndarë çmimet vjetore në disa kategori.

Në kuadër të këtij aktiviteti, poeti shqiptar Agron Tufa, ka marrë çmimin “Taras Shevchenko” për poezinë më të mirë të përkthyer në frengjisht për vitin 2017.

Kjo medalje mban emrin e poetit ukrainas Taras Shevchenko dhe kjo është hera e parë që një shqiptar e merr këtë çmim, duke shërbyer si një mundësi për ta njohur këtë Akademi me poetët e tjerë shqiptarë.

Akademia Evropiane e Shkencave përfshin mbi 300 anëtarë të Akademive Kombëtare, 72 laureatë të çmimeve NOBEL prej 54 vendeve.

Qëllimi i AESAL është që në interes të Paqes, të mundësojë bashkëpunimin ndërmjet kombeve në fushën e arsimit, shkencës, artit dhe letërsisë jashtë varësisë nga dallimet racore, nacionale, gjuhësore, religjioze dhe dallime të tjera.

Akademia Europiane e Shkencave, Arteve dhe Letërsisë bashkëpunon me UNESCO-n, akademitë nacionale dhe me struktura të tjera kombëtare e ndërkombëtare. Veprimtaria përfshin hulumtimet shkencore, kërkimet teorike, organizime konferencash e publikime ligjëratash.Gjithashtu, ajo mban simpoziume të përvitshme ndërkombëtare.

Qëllimi zanafillor i Akademisë ishte hedhja poshtë e urave ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes (në radhë të parë me ish-BRSS-në). Në kohën e sotme Akademia bashkëpunon gjerësisht me përfaqësuesit e Amerikës, Afrikës, Azisë, Oqeanisë, e në mënyrë që ta kuptojë e realizojë më mirë rolin e Europës në botë.

 

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).