Projekti për “të ardhurat bazë të pakushtëzuara” është nisma e re që ka ndërmarrë Zvicra, nëpërmjet të cilës synohet që t’u sigurojë të gjithë qytetarëve të ardhuraminimale për të jetuar, pavarësisht nëse janë apo jo në punë.
Sipas këtij projekti, çdo qytetari do t’i garantohet një shumë minimale prej 2.200 euro në muaj, ndërkohë që minorenët përfitojnë rreth 550 euro. Këto cilësohen si shuma që i mbajnë banorët mbi kufirin e varfërisë, bazuar në standartin europian.
Zyrihu është qyteti i parë ku ka nisur të zbatohet ky projekt, me vendim të Këshillit Komunal. Megjithatë, ai shihet mjaft me skepticizëm nga qytetarët, të cilët mendojnë se kjo nismë do të nxisë braktisjen e punëve. Në referendumin e vitit të kaluar që u zhvillua mbi këtë çështje, banorët votuan kundra tij.
Ndërkohë, proçedurat e aplikimit dhe mënyra e shpërndarjes së parave, janë akoma të paqarta për qytetarët e Zvicrës. Gjithashtu, kjo nismë është në faza eksperimentale edhe në Kaliforni e Finlandë, si pjesë e projekteve të Kombeve të Bashkuara kundër varfërisë.