Art & Kulturë

Një Orë Lumturie – Poezi nga Asdreni

Hëna ndrinte porsi argjent
Kur ndë kopshtije bashkë vinim
Dhe me dorën mbi krahun tënd
Të ndihnja mbi bar te rrinim.

Ah, sa ëmbëlsirë ndjeva
Kur dorën ma zgjate
At’herë fare më s’ë msheva
Mirëdashjen zemrës sate.

Lulet na çonin një erë
Shumë të ëmbël e të pëlqyer
Edhe zefiret nga herë
Na kujtonin pa kursyer.

Rrezet që na përgëzonin
Kur ishim të përqafuar
Dashurinë na e shtonin
Me një mall të pa rrëfyer.

Sa fjal’ t’mbla më thoshe
Kur përkëdheleshim të dy
Dhe më syçkat bukuroshe
Me benjë të mos ndahem nga ty.

Po dyshimi nuk më linte
të të besonj se ti më do
Si hëna që rrezet mshifte
Dhe i çonte ku desh ajo.

Veç at’hëre kupëtova
Se je zemër plot mëshirë
Dhe veten time e ngrova
Kur më puthe me dëshirë.

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).