Art & Kulturë

Ndizen dritat e pemës së festave të fundvitit në sheshin “Skënderbej”

Sikurse është bërë tashmë traditë, në Tiranë u ndezën dritat e pemës së Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri duke shënuar zyrtarisht edhe mbërritjen e festave.

Nën tingujt e muzikës së përzgjedhur të bandës frymore të qytetit si dhe korit të Liceut Artistik, “Jordan Misja”, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i rrethuar nga qindra fëmijë të pranishëm në sheshin “Skënderbej”, ndezi dritat e pemës.

Kreu i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se festat janë një moment fantastik për qytetin, ndërsa bëri të ditur se përgjatë gjithë këtij muaj do të ketë një sërë aktivitetesh në ndihmë të njerëzve që kanë nevojë. “Festat janë një moment fantastik për qytetin, një moment që kujtojmë që janë kënaqësitë e vogla që janë dritat, që është dashuria për familjen, që janë fëmijët që kanë mbushur qytetin tonë, që janë hapësirat ku takojmë njëri-tjetrin dhe shkëmbejmë me njëri-tjetrin. Në të gjithë botën ka gjëra që nuk janë perfekt, por gjatë kohës së festave është momenti ku secili prej nesh kërkon veten e vet më të mirë, njeriun më bujar që ka brenda vetes, njeriun më të dashur dhe unë besoj që ky është një moment fantastik ku të gjithë ne të kërkojmë më të mirin që kemi brenda vetes dhe të japim dashuri në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që përgjatë këtij muaji solidariteti, t’u gjenden pranë të gjithë atyre që kanë nevojë për mbështetje. “Dua ti kërkoj të gjithë qytetarëve të Tiranës, shteti, bashkia, qeveria mund të bëj disa gjëra, por nuk mund të bëj gjithçka. Nëse ka dikush që është në nevojë, nëse ka dikush që ka nevojë për ndihmë, nëse ka dikush që është i sëmurë, nëse është dikush që është i moshuar, nëse është dikush me aftësi të kufizuar, secili prej nesh ka fuqinë e festave, e bujarisë, e solidaritetit që t’i gjendet pranë. Nëse secili prej nesh do të gjejë një person, një familje, një kauzë për të ndihmuar në këtë stinë festash, unë besoj që qyteti do ta mbyllë vitin si qyteti më solidar në Shqipëri dhe do ta fillojmë 2018 me sukses”, tha Veliaj, ndërsa falenderoi të gjithë ata që kan punuar pafund për qytetin për t’u siguruar që gjithë Tirana do të vezullojë më shumë se kurrë në këto ditë festash.

“Ne do të jemi në çdo cep të Tiranës gjatë këtij muaji për të festuar, për të gëzuar këdo në qytetin tonë dhe mezi pres që në çdo lagje të Tiranës fryma e festave, e solidariteti, e bujarisë të jetë ajo që na përshkruan si qytetin më të mirë në Shqipëri”, deklaroi Veliaj.

Leave a reply

InfoKult jep informacion 360 gradë për të kaluar kohën e lirë sa i takon artit, kulturës dhe turizmit (në kuptimin e destinacioneve turistike).